Barcelona ia sheh “sherrin” Griezamannit ende pa luajtur

22:59 | 19 Korrik 2019

Transferimi i Griezmann te Barcelona nuk po del të jetë edhe aq i rregullt.

Një javë më parë, Antoine Griezmann pagoi tek Atletico Madrid klauzolën e tij prej 120 milionë euro, përpara se Barcelona të njoftonte nënshkrimin e kontratës me francezin për 5 vitet e ardhshme dhe me një klauzolë të frikshme të fiksuar në shumën e 800 milionë euro.

Por kjo rezultoi të ishte çështja e bujshme që shoqëroi transferimin e Griezmannit te katalanasit.Bomba e vërtetë në këtë kulm të afatit kalimtar në Spanjë është hetimi që Federata spanjolle ka nisur ndaj Barcelonës, për shkak të denoncimit të kryer nga drejtuesit e klubit të Atletico Madridit.

Këta të fundit akuzojnë “blaugranat” se janë dakorduar me futbollistin francez përpara se të njoftonin dhe të arrinin akordin me vetë klubin.

“Lusport” raporton se RFEF ka çelur tashmë zyrtarisht dosjen për hetimin e transferimit të Griezmannit te Barcelona, për të konfirmuar nëse katalanasit kanë shkelur ose jo rregulloren e federatës, specifikisht nenin 143 të saj që përcakton: “klubi i interesuar për të përvetësuar një futbollist profesionist duhet të njoftojë dhe komunikojë me shkrim interesimin e tij te klubi që zotëron lojtarin, përpara se të nisë negociatat me vetë futbollistin”.

Pikërisht me pretendimin dhe akuzën se Barcelona nuk ka respektuar detyrimin e përcaktuar në nenin 143 të rregullores së federatës spanjolle, drejtuesit e klubit të Atletico Madrid pretendojnë të përfitojë 80 milionë euro të tjera nga katalanasit për transferimin e Griezmannit, çka do ta çonte në plot 200 milionë euro koston totale të transaksionit.

Komento: