A dështoi diplomacia Kurti – Schwarz?

12:52 | 11 Korrik 2021

Kosova me rezolutë për Srebrenicën – askush i ftuar në takimin përkujtimor.

Kosova nuk është ftuar në takimin përkujtimor për viktimat e krimit serb në Srebrenicë, shkruan Gazeta Metro.

Ndonëse me mëngjes pothuajse të gjithë liderët shtetërorë të Kosovës kanë shkruar në kujtim të viktimave të Srebrenicës, asnjëri prej tyre nuk është ftuar në takimin përkujtimor.

Në këtë takim, Bosnja dhe Hercegovina ka gjetur një vend edhe për presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, por jo edhe për ndonjë lider politik nga Kosova.

Shkaku pse asnjëri prej liderëve nuk është ftuar në këtë takim përkujtimor nuk dihet, por në njërën anë është çështja problematike e udhëheqjes së Bosnje e Hercegovinës, por edhe diplomacia e dobët e Kosovës.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës ditë më parë miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, e cila përmban këto pika:

Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut.

Konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat ushtarake të URS, të njëjtat për disa ditë kanë kryer masakra në Srebrenicë dhe rrethinë, duke vrarë e masakruar mbi 8000 burra, djem dhe të mitur boshnjakë.

Ndjen dhe shpreh pikëllimin e thellë për njerëzit e pafajshëm që kanë pësuar në gjenocidin e Srebrenicës, gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe iu shpreh ngushëllime anëtarëve të mbijetuar të familjeve.

Dënon fuqishëm çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.

Fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpall ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Fton të gjitha shtetet që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.

Komento: