
A do të vazhdojë edhe më tej ecuria e ndeshjeve pa disfatë për Përfaqësuesen e Kosovës.
Trajneri i njohur mitrovicas beson se Kosova ka gjasa të mira për ta vazhduar ecurinë e ndeshjeve pa disfatë, gjithsej 14 deri më tani, edhe pas ndeshjeve të shtatorit. Mirëpo, ai ka theksuar se tifozët kosovarë duhet të mbeten realistë.
Sonte në emisionin sportiv “Favorit”, ku po diskutohet për dy ndeshjet e radhës të Kosovës, në T7 janë të ftuar ish-trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Albert Bunjaki, dhe trajneri i njohur mitrovicas, Gani Sejdiu.
Gjatë ditëve në vijim, më 7 dhe 10 shtator, Kosova do të zhvillojë ndeshje në “Fadil Vokrri” kundër Çekisë dhe tre ditë më vonë do ta vizitojë Anglinë, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.
Përveç që në këto dy ndeshje Kosova do të përballet me Kombëtare të ranguara më mirë në renditjen e FIFA-s, “Dardanëve” do t’u mungojnë edhe pesë futbollistë të cilët zakonisht janë standardë – Arbër Zeneli, Milot Rashica, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.
Edhe nëse nuk arrihet kualifikimi përmes Grupit A, Kosova do ta ketë një mundësi të dytë për t’u kualifikuar – përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të përballet me Maqedoninë, ndërsa në finale mund ta ketë kundërshtare ose Gjeorgjinë ose Bjellorusinë.
“Po, nuk diskutohet [se Kosova mund ta vazhdojë ecurinë edhe pas ndeshjeve të shtatorit]. Kjo tregon se Kosova me të vërtetë ka arritur në një nivel që s’e kemi pritur. Ajo që është me rëndësi është se Kosova ka krijuar vetëbesim se mund të bëjë gjëra të mëdha”, tha Sejdiu.
“Nuk është lehtë të mos pësosh humbje në 14 takime, kjo është një ecuri fantastike. Normal, tash duhet të jemi edhe realistë”.
Kosova deri më tani i ka grumbulluar pesë pikë nga tri ndeshje të zhvilluara – dy barazime dhe një fitore – duke u radhitur e treta në Grupin A, me një pikë më pak se Anglia dhe Republika Çeke.