A do të hiqet taksa para Samitit të Parisit, tregon deputeti i AAK-së

13:09 | 09 June 2019

Nitaj ka thënë se taksa nuk do të hiqet para Samitit të Parisit.

Deputeti i AAK-së, njëherit nënkryetar në partinë e Ramush Haradinajt, Muharrem Nitaj, ka mohuar zërat se taksa 100 përqind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake mund të hiqet para Samitit të Parisit që do të mbahet më 1 korrik.

Megjithëse këtë opsion e ka lënë të hapur Haradinaj.

Nitaj thotë se taksa nuk hiqet nga kushtëzimet që i bën Serbia.

I sapokthyer nga Berlini, ku u takua me kancelaren Angela Merkel, kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për çështjen e taksës për produktet serbe duke deklaruar se qeveria e tij është e gatshme ta pezullojë atë vetëm nëse ka një marrëveshjeje të negociuar.

Megjithatë, Muharrem Nitaj thotë se ose do të ketë dialog të mirëfilltë pa kushtëzime e me një afat të caktuar ose nuk do të këtë fare. Këto komente Nitaj i bëri kur u pyet nëse do të hiqet apo pezullohet taksa pak para Samitit të Parisit.

“Kosova nuk do të mund të kushtëzohet me asgjë. Samiti i Parisit nuk bëhet vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Nëse ne kemi pranuar dialog pa kushtëzime, pse do të duhej të shtrohej dilema e dështimit të Samitit të Parisit nga kushtëzimet e Serbisë?!Taksa nuk hiqet nga kushtëzimet që mund t’i bëjë Serbia!”, tha Nitaj.

Nitaj e përmend se në cilat raste mund të hiqet taksa.

“Sikur të arrihej një marrëveshje kornizë për Dialogun, që nënkupton se për çfarë do të bisedohej, se kur fillon dhe kur përfundon ky proces dhe cilat do të ishte marrëveshja e synuar, unë jam i bindur se lidershipi në Prishtinë do ta konsideronte edhe pezullimin e përkohshem të taksës, por jo kështu siç po kërkon Serbia. Nuk mund të pezullohet taksa në emër të rifillimit të dialogut në mënyre që dialogu mëpastaj të zgjasë pa fund, pa rezultat e pa marrëveshje, siç ka ndodhur deri më tash”, tha Nitaj.

Në përfundim, nënkryetari i AAK-së, shtoi se ky kapitull është i mbyllur.

“Ose do të ketë dialog të mirëfilltë, pa kushtëzime e me një afat të caktuar kohor, ose nuk do të ketë fare”, tha ai.

Taksa 100 përqind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake është vendosur në nëntor të vitit 2018. Kjo taksë nuk ka afat kohor. Megjithë presionit ndërkombëtar se taksa duhet të hiqet, Qeveria Haradinaj, ka vendosur të mos e heq. Deri më tani kjo i ka shkaktuar miliona humbje Serbisë.

Për shkak të taksës është pezulluar edhe dialogu me Serbinë. Pas Samitit të Berlinit, ditë më parë kryeministri Ramush Haradinaj, ishte në vizitë zyrtare në Gjermani ku u prit nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Pas këtij takimi kryeministri tha se është vërtetuar serioziteti i Kosovës në çështjen e dialogut.

Ndërsa ka përmendur dy opsione për suspendimin eventual i taksës.

“Qëndrimi im është konsistent, janë dy opsione. Ose një vendim i madh, pra një konferencë një ditore, atëherë Kosova është e gatshme të suspendoj taksën deri në këtë konferencë, por me marrëveshje paraprakisht të negociueshme për një vendim për përmbyllje me kusht të njohjes, por edhe nëse e suspendojmë disa ditë, nuk e ndihmojmë procesin, se mund të zgjas me ditë dhe vjet”, ka thënë Haradinaj.

Komento: