Kreu i Qeverisë Ramush Haradinaj thotë se as pas Berlinit nuk do ta heqë taksën.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur në T7 rreth Samitit në Berlin, ku do të pritet nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Haradinaj thotë se as atje nuk hiqet taksa, ndërsa thotë se Mogherinin e kanë nxjerrë nga loja Merkel dhe Macron.
Haradinaj ka dhënë detaje nga Samiti i Berlinit që do të mbahen të hënën. Tregon se Merkel e Macron i kanë rezervuar Kosovës dhe Serbisë takim të vecantë.
“5 deri në 7 është pjesa formale, ndërsa është një pjesë tjetër që quhet vazhdim, e që temë është Kosova. Aty nuk janë vetëm palët nga Kosova, por edhe nga regjioni. Gjatë gjithë kohës do të jenë edhe Merkel edhe Macron”, është shprehur Kryeminitri.
Ndonëse Presidenti Hashim Thaci ka thënë se nuk është aq i rëndësishëm takimi në Berlin, Haradinaj ka pritje të tjera.
“Nuk është pak kjo, janë nikoqir Merkel e Macron dhe mbahet në Berlin”, është shprehur Kryeministri.
Ai tutje flet për rolin e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Federica Mogherinit, me të cilin Haradinaj ka pasur përplasje e mosmarrëveshje.
“Mogherini i ka bërë shumë dëme BE’së dhe Ballkanit. Gati na ka kthy në të kaluarën. Në vend që të ketë fokusin te tema e njohjes së Kosovës, ajo e ktheu te tema e territoreve. Nuk besoj që duhet të presim zgjidhje nga z. Mogherini” , është shprehur ai.
Fakti që nuk është në nikorqirllëkun e Mogherinit është një kthesë. Fakti që ajo është e ftuar si mysafire në Berlin, ia kanë tregu vendin”.
Kryeministri nuk pret që në Berlin të negociohet, pasi sipas tij, Kosova ka të mandatuar një tjetër ekip negociator.
“Nuk jemi aty për negocim, por ndoshta produkti më i mirë nga ky samit do të ishte rikthimi i palëve në tavolinën e bisedimeve”, është shprehur Kryeministri.
Krejt në fund, tregon se as para Merkelit dhe Marcronit nuk ndryshon qëndrimi i tij për taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.
“Nuk hiqet taksa as në këtë samit as në ndonjë samit tjetër”.