A do të izolohet Prishtina, sot takohen Zemaj e Ahmeti – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

A do të izolohet Prishtina, sot takohen Zemaj e Ahmeti

10:30 | 27 Tetor 2020

Koronavirusi po vazhdon të përhapet me shpejtësi në gjithë Kosovën, e në veçanti në Prishtinë.
Kryeqyteti vazhdon të mbetet komuna më prekur me virusin korona.

Sipas statistikave të fundit, vetëm dje u konfirmuan 205 raste të reja me COVID-19, ndërsa në Prishtinë u konfirmua më shumë se gjysma e numrit të shënuar në gjithë Kosovën, gjithsej 111.

Pikërish kur ka nisur të rritet lakorja e të infektuarve i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka paralajmëruar se në bazë të kësaj, sipas tij, pas shtatë apo dhjetë ditësh, në Kosovë do të ketë krizë sa i përket situatës me COVID-19.

Ahmeti ka shkruar se bazuar në lidhshmërinë e Kosovës me Maqedoninë e Veriut dhe vendet tjera të regjionit në të cilat ka nisur vala e dytë e koronavirusit, kjo mund të ndodhë shpejt edhe në vendin tonë.

“205 KS – 111 Pr. Maqedoni me 600 ne ditë e shtetet e regjionit me valë të re. Duke marr parasysh lidhshmërinë tonë me këto shtete kriza na pret edhe 7-10 ditë. Kujdes me maska ju lutem!”, ka shkruar Ahmeti në Twitter.

Kurse, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se mbyllja e kufijve dhe kufizimi i lëvizjes në zonat më të prekura me COVID-19 janë dy nga masat të cilat janë duke u shqyrtuar.

Ahmeti dhe Zemaj do të takohen sot nga ora 10:30 ku do të flasin për gjendjen aktuale me koronavirus, veçanërisht në kryeqytet.

Ata do të deklarohen për media pas takimit, ku do të mësohet nëse do të marrin ndonjë vendim sa i përket kufizimit të lëvizjes.

Komento: