Viti që po vjen thuhet se do të jetë viti i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Një gjë të tillë e theksoi edhe vetë presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një opinion për fundvit që e publikoi në faqen e tij zyrtare.
Ai aty kërkon nga të gjithë liderët kosovarë, vëmendje dhe angazhim për sfidat e Kosovës në 2019-ën, transmeton Insajderi.
“Prandaj, unë shpresoj se liderët e vendit në vitin 2019 do të jenë të gatshëm, që pa hezitim të marrin vendime të vështira, por të domosdoshme, për interesin shtetëror dhe paqen në Ballkan e më gjerë.
Nga ana ime, dua t’i siguroj qytetarët se nuk do të ngurroj për asnjë moment që të marrë vendime në interes të shtetit tonë dhe në përputhje me këshillat miqësore të aleatëve tanë, respektivisht të SHBA-së”, thotë Thaçi.
Presidenti i vendit ka kërkuar bashkim në sferën politike, njëjtë sikurse në rastin e votimit të demarkacionit.
“Përkundër këshillave dhe insistimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2016, si kusht i vetëm për liberalizimin e vizave, ne dështuam ta bëjmë një gjë të tillë. Për më keq, Kosova papritmas u shndërrua në arenë të protestave të dhunshme.
Kështu, me lehtësinë më të madhe dhe falë kauzave të rrejshme politike, humbëm momentin dhe ia pamundësuam BE-së që ta marrë vendimin për heqjen e vizave. Në fund, u deshën dy vite debate monotone dhe shterpe për këtë çështje, që e njëjta marrëveshje të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Çfarë fitoj Kosova nga e gjithë kjo? Asgjë, përveç vazhdimit të izolimit”, shkruan Thaçi.
Ai flet edhe për letrën e Trumpit, duke e cilësuar si mbështetje për marrëveshjen finale.
Ndryshe për një vendim të tillë pro është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai ka thënë se pas marrëveshjes finale, do ta tërheqë edhe taksën e produkteve serbe.