Kosova nuk e ka ndërmend të heq dorë nga INTERPOL-i, po provon sërish anëtarësimin.
Vitin e kaluar, Kosova dështoi të anëtarësohej në INTERPOL, por sa është e mundur që kjo të ndodhë këtë vit?!
Në rivotimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it në Dubai, Kosova ka marrë 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime.
Por kjo nuk e ndaloi Kosovën që të tërhiqet nga kërkesa për tu pranuar në INTERPOL.
Kosova gjatë këtij viti do të provojë përsëri të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë dhe kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak Serbisë.
Në anën tjetër eksperti i politikave të jashtme dhe integrimit, Avni Mazreku është shprehur se janë dy dimensione që Kosova duhet t’i ketë parasysh në rastin e aplikimit në INTERPOL.
“E para qëndron tek destruktiviteti i Serbisë, përkatësisht roli i Serbisë në pengimin e Kosovës në anëtarësimin në Organizata Ndërkombëtare. Dihet që Serbia njëherë e ka arritur qëllimin e pengimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, në saje të kapaciteteve të saj lobouese”, është shprehur Mazreku.
Ai më tutje ka shpjeguar për lajmi.net se si qëndron Serbia në raport me lobimin kundër Kosovës.
“Serbia e konsideron interes strategjik pengimin e Kosovës për anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare, sepse dihet qartë që sovraniteti i një shteti artikulohet vetëm me rolin e shtetit në këto organizata, andaj Serbia ka pasë sukses në këtë drejtim”, tha Mazreku.
Mazreku e sheh si mundësi të mirë preventive taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe.
“Mendoj që me preventu Kosova në destruktivitet të tillë të Serbisë, taksa që është aplikuar është mekanizmi i vetëm që mund të ushtroj presion mbi shtetin serb, kundër destruktivitetit të saj”, tha Mazreku.
Sa i përket dimensionit të dytë, Mazreku është shprehur se kjo varet nga kapaciteti institucional i Kosovës.
“Ndërsa dimensioni i dytë, kapaciteti institucional i Kosovës që përbën spektrin e institucioneve që kanë rol në politikën e jashtme, tash varet sa Kosova ka me ditë dhe me përdorë strategji efektive që të arrijë numrin e shteteve që i garantojnë anëtarësim në INTERPOL. Për shkakun sepse gjithçka varet nga qëndrimi i shteteve”, tha Mazreku.
Mazreku gjithashtu shtoi se dështimet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, duhet të merren si mësime për të hartuar strategji më efektive në funksion të arritjes së qëndrimeve pozitive nga shtetet e kësaj organizate.
Vlen të theksohet se ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, është shprehur publikisht se Serbia vazhdon të punojë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe çfarëdo organizate tjetër ndërkombëtare.