A do të jetë Shpend Ahmeti pjesë e protestave të Vetëvendosjes? – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

A do të jetë Shpend Ahmeti pjesë e protestave të Vetëvendosjes?

16:16 | 21 Prill 2019

Lëvizja Vetëvendosje mbahet mend për protestat e tyre të shumta.

Shpend Ahmeti sa ishte në Vetëvendosjes dilte i pari në protesta.

Madje në një të tillë ai edhe ishte arrestuar. Tash, partia e tij e re, PSD, ka vendosur të mos jetë pjesë e protestave që i organizon Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ka paralajmëruar protestë kundër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit. Ai ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë protestë të cilën e ka quajtur paqësore, e që do të mbahet të premten e 26 prillit.

Thirrjes së Kurtit për protestë, nuk do t’i bashkohet edhe partia e Shpend Ahmetit. PSD’ja e ka konfirmuar për Express se nuk do t’i bashkohen VV’së për të protestuar.

“Nuk marrim pjesë”, ka thënë Natyra Kuqi, Zëdhënëse e PSD’së.

Në paralajmërimin për protestën e 26 prillit, Kurti ka thënë se Kryeprokuorori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, po heshtë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Këtë protestë po e thërrasim si qytetarë të brengosur…. çlirimin nga Serbia duhet t’ia bashkëngjisim edhe çlirimin nga krimi dhe korrupsioni. Prokuroria e Shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës, as krimet e paqes. Kryeprokurori po u frikësohet Presidentit, Kryeministrit e Kryeparlamentarit. Aleksandër Lumezi i druhet secili pushtetar”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë Lumezi është i shantazhuar dhe frikacak.

“Me kësi lepurushash nuk bëhet shteti. Andaj, të premten, pesë minuta para orës 12, ju bëj thirrje gjithë qytetarëve të dalin para Prokurorisë së Shtetit”, ka thënë Kurti.

Protesta pritet të zhvillohet në Prishtinë në rrugën “Luan Haradinaj” ku ndodhet edhe objekti i Prokurorisë së Shtetit.

Komento: