Agim Veliu nuk e fsheh më dëshirën dhe ambicien të bëhet kryetar i LDK-së.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu nuk po e fsheh më që po synon të bëhet shef i LDK’së. Deklaron se si nënkryetar që është ka përkrahje brenda partise, ndërsa përmend nominimin e tij. Për kandidatët e tjerë që mund të vijnë në krye të LDK’së, ka zgjedhur të heshtë, derisa beson që në Kuvendin e 3 gushtit do të shkojë gjithçka mirë dhe se nuk do të përsëriten incidentet me karrige.
Për 15 ditë, Lidhja Demokratike e Kosovës do të zgjedhë kryetarin e ri. Në mesin e emrave që janë përmendur se mund të vijnë në këtë pozitë është edhe ai i nënkryetarit të kësaj partie, Agim Veliut.
Por, ai vetë thotë se ende nuk e di nëse do të jetë njëri prej kandidatëve për kryetar të kësaj partie, në Kuvendin zgjedhor që do të mbahet më 3 gusht.
Thotë se gjithçka do të dihet në Kuvend, derisa shton se ka përkrahje brenda partisë.
“Në Kuvend do të propozohet apo jo edhe kandidatura ime…nuk e di a më propozon najkush a jo…sigurisht që unë e kam edhe një përkrahje prej LDK’së sepse jam nënkryetar”, ka thënë Veliu në një pronocim për Periskopin.
E pavarësisht nëse do të jetë apo jo kandidat, Veliu pret që gara për të parin e partisë do të jetë fer dhe korrekte. Ndërkohë, për bashkëpartiakët që po synojnë të vijnë në krye të LDK’së, ka zgjedhur të heshtë. Por thotë se pa marrë parasysh kush zgjedhet, s’do të ketë ndasi.
“Pres që gara të jetë fer dhe korrekte, nëse ka më shumë kandidatë dhe besoj që ka kandidatë LDK’ja mjaft të mirë, do të ketë votim të fshehtë dhe votimi i fshehtë në LDK nuk mund të manipulohet.Jo more s’ka arsye për me pas përçarje, pa marrë parasysh se kush zgjedhet, nuk ka arsye me pas as përçarje e as ndasi. Na duhet me ec bashkë, unik edhe me synu me i fitu zgjedhjet nacionale”, tha ai.
Ndryshe, Nënkryetari tjetër i LDK-së Lutfi Haziri ka thënë se deri sa LDK të konfirmojë delegatët që do të marrin pjesë në Kuvendin kryesor zgjedhor të LDK’së nuk do të ketë kandidatura. Por, ai ka thënë se do të punojë deri në momentin e fundit para mbajtjes së zgjedhjeve në LDK, për një marrëveshje politike për postin e kryetarit.
“Në marrëveshje dua të trajtohen të gjithë të barabartë. A janë 15, 20 apo 30 veta të gjithë duhet trajtuar barabartë. Nuk e favorizoj vetëm meritokracinë, sepse nëse flitet për meritoraci janë disa emra që duhet favorizuar dhe disa tjerë përjashtuar. Mendoj se nëse bëhet kusht meritokracia LDK do të dëmtohet”.
Haziri ka theksuar se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike për të drejtuar LDK-në, ai do ta shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së.
“Besoj shumë që marrëveshja politike është mjeti i vetëm që LDK ka. Jam për marrëveshje, por nëse nuk ka marrëveshje unë kandidojë”, tha ndër të tjera Lutfi Haziri.
Kryetari aktual, Isa Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar kishte dhënë shenjat e para se me gjithë problemet shëndetësore dhe moshën do të synojë prapë udhëheqjen e LDK’së.
Në një intervistë televizive, ish-Kryeministri kishte thënë se do të deklarohet përfundimisht për ambicien për Shef të LDK’së një muaj para se të përundojnë zgjedhjet.
“Këtë çështje do ta diskutojë. Këtë do ta deklaroj një muaj, një muaj e gjysmë para zgjedhjeve për Kryetar”, kishte thënë Mustafa.
Emra tjerë që janë përmendur janë edhe Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit.
Por, Muhaxheri, ka treguar se nuk ka pretendime për t’a sfiduar Hazirin dhe pretendentët eventualë në këtë garë.
Edhe Ahmeti ka thënë se nuk e ka në plan të kandidojë përveç nëse kjo i i kërkohet nga partia.
Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK pritet të përfundojë më 3 gusht, kur edhe është caktuar mbajtja e kuvendit zgjedhor, në të cilin delegatët e partisë do ta zgjedhin kryetarin.
Ky proces disa mujor është shoqëruar edhe me disa incidente, si rrahje me grushte e me karrige, të cilat gjatë tërë kohës janë minimizuar si zhvillime nga zyrtarë të kësaj partie. Praktika e rrahjes me karrige në këtë parti për herë të parë ka ndodhur në kuvendin zgjedhor të vitit 2006.