Ismet Beqiri nuk e ka mohuar kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, ka thënë se partia e tij do të krijojë një ekip që do të dalë fitues në zgjedhjet e parakohshme, duke mos pranuar të jap emra se kush do të jetë kandidat për kryeministër.
“Padyshim që emrin do ta japim me kohë, por aktualisht nuk e kemi”, ka thënë Beqiri në Frontal të T7.
I pyetur rreth emrit të Vjosa Osmanit, ai ka thënë se nuk mund të mohojë që ajo do të kandidojë për kryeministre, por një gjë të tillë e thotë edhe për pretendentët tjerë.
“Unë nuk po them që nuk është Vjosa Osmani, që s’është Lufti Haziri, Agim Veliu, e shumë emra “, ka shtuar tutje Beqiri.
Për Vjosa Osmanin ai ka përsëritur edhe një herë se as nuk e pohon dhe as nuk e mohon se mund të jetë kandidate për kryeministre.
Më tej ka thënë se s’ka asnjë bisedë për këtë punë dhe asgjë zyrtare sa i përket caktimit të kandidatit për kryeministër.
Për pjesëmarrjen e Vjosa Osmanit në takimin me ambasadorin Kosnett, Beqiri ka thënë se nuk është hera e parë që deputetja Osmani ka marrë pjesë në takime me ambasadorë.