Duket se do të ketë masa të reja ndaj Serbisë, e këtë e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.
Sot gjatë ditës mediat në Kosovë por edhe në Serbi kanë raportuar se priten tri masa të reja kundër Serbisë.
Në mesin e masave janë raportuar edhe ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë, dhe gjithashtu edhe ndalimi i hyrjes së automjeteve me targa të Serbisë.
Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit Haradinaj ka thënë për insajderin se masat e reja janë pjesë e një strategjie.
Por ai nuk ka specifikuar se për çka saktësisht bëhet fjalë.
“Nuk mund t’i specifikojë këto masa, por mund të them se janë pjesë e një strategjie. Ne nuk do të tolerojmë ma tutje që Kosova të trajtohet nga shteti i Serbisë në formën si është trajtuar vitet e kaluara”, ka deklaruar Avni Arifi.
Qeveria e Kosovës, fillimisht, kishte vendosur taksën prej 10 për qind për produktet serbe për të shkuar pastaj në masën 100 për qind. Me këtë veprim janë bllokuar produktet serbe dhe ato boshnjake të hyjnë në Kosovë.
Ramush Haradinaj ka thënë se s’do të ketë heqje të taksës pa e njohur Serbia Republikën e Kosovës.