Një mot i ndryshuar na pret javën që po hyjmë.
Ditët e fundit të muajit korrik fillojnë me mot të freskët dhe reshje lokale shiu. Nga e mërkura sërish nxehtë dhe kryesisht me diell.
Ky është parashikimi i motit sipas Prishtina Weather:
28.07.2019 – Një vorbull ciklonike nga Atlantiku që do të depërtojë mbi rajon sonte dhe ditës së nesërme, do të kushtëzojë në vendin tonë mot më të freskët dhe të paqëndrueshëm, me reshje lokale shiu.
Mirëpo, me kalimin e kësaj vorbulle nga rajoni ynë, nga dita e mërkurë, sërish pritet të shtrihen fusha më stabile dhe masa më të nxehta ajrore nga Mesdheu, që do të sjellin mot të nxehtë dhe kryesisht me diell. Orëve të pasdites nuk përjashtohen mundësi për riga lokale shiu.
29.07 – Më freskët, kryesisht me vransira dhe intervale me diell. Kohëpaskohe priten reshje lokale shiu, e pasdite edhe me bubullima.
30.07 – Pjesërisht vranët. Pasdite mundësi për riga lokale shiu.
31.07 – Nxehtë, pjesërisht vranët., me intervale më të gjata me diell. Pasdite vende-vende mundësi për riga shiu.
1.08-2.08 – Ditëve të para të muajit gusht, nxehtë, kryesisht me diell. Të enjten pasdite mundësi për riga lokale shiu.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie, por nga dita e mërkurë sërish do të rriten mbi vlera mesatare. Minimale do të luhaten nga 15C deri në 18C, e ato maksimale, të hënën do të zbresin deri në 25C, por nga dita e mërkurë do të rriten në 30C deri 33C.
Do të fryj erë e lehtë dhe mesatare nga verilindja 2-6m/s.
Shtypja atmosferike do të shënojë rritje rreth vlerave normale.