A do të kthehet tash Vjosa Osmani në LDK? – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

A do të kthehet tash Vjosa Osmani në LDK?

11:45 | 21 Shkurt 2021

“Le të largohet kryesia, e flasim për mundësinë e kthimit” – A do të kthehet tash Vjosa Osmani në LDK.

“Le të largohet kryesia e LDK-së, e le të vijnë të flasim për mundësinë e kthimit në LDK”, kishte deklaruar Vjosa Osmani, në janar të këtij viti, pas largimit të saj nga kjo parti dhe formimit të një iniciative të re. Tash kur Osmani i është bashkuar listës së Lëvizjes Vetëvendosje, por në ish-partinë e saj kanë dhënë dorëheqje kryetari Isa Mustafa dhe kryesia e LDK’së, a do të kthehet dhe a duhet të kthehet ajo aty?

Rezultati i dobët i LDK’së në zgjedhjet e 14 shkurtit, bëri që kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, dhe anëtarët e kryesisë, të japin dorëheqje.

Pas dorëheqjes së udhëheqësve të LDK’së, është përmendur kthimi i Vjosa Osmanit në këtë parti. Madje, për këtë është pyetur edhe nënkryetari në dorëheqje i LDK’së, Lutfi Haziri.

“LDK’ja gjithmonë është e hapur për njerëzit e saj. edhe ata që janë hidhëru, dhe e kanë lëshu LDK’në për motive politike, edhe ata që i janë bashkëngjitë Lëvizjes Vetëvendosje për motive prapë politike, edhe më herët ata që e kanë lëshuar LDK’në për arsye të caktuara politike, LDK e ka familjen politike e cila gjithmonë ka qenë e hapur dhe ne nuk e njohim logjiken e përjashtimit”, ka deklaruar Haziri para pak ditësh.

Por, analistët politikë nuk e shohin të mundshëm kthimin e Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, tani kur ajo ka garuar në zgjedhje me Lëvizjen Vetëvendosje, ku edhe ka marrë më shumë se 200 mijë vota.
Analisti Petrit Zogaj, ka deklaruar për Gazetën Express se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk ka mbetur shumë hapësirë për kthimin e Osmanit në LDK.

“Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk duket që kanë lënë shumë hapësirë që tash zonja Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje të shohin opsione tjera, pos certifikimit të rezultateve dhe formimin e institucioneve. Ajo çfarë po ndodh në LDK, nuk duhet të ndikojë aspak në LVV dhe listën e Osmanit. Prandaj, jo vetëm që nuk besoj që LDK do t’i bëjë ofertë zonjës Osmani, por edhe sikur të ndodhte diçka e tillë, lista e zonjës Osmani dhe LVV kanë dhënë zotime tjera në fushatë dhe nuk duhet harxhuar kohë dhe energji për gjëra të tilla”, ka deklaruar Zogaj.

Zogaj tha se Osmani nuk duhet të brengoset fare për ndodhitë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, por të vazhdojë punën në krijimin e institucioneve të reja.

“Humbja që i është shkaktuar LDK’së, s’besoj që ka lënë hapësirë që tash zonja Osmani të rikthehet në parti, duke marrë udhëheqjen e saj. Përpos kësaj, Kosova ka humbur dy vite tashmë me qeveri jostabile, problemet që ka përpara një qeveri e dalë nga këto zgjedhje, nuk japin komoditetin që tash të diskutojmë çështjen e një subjekti politik që ka humbur zgjedhjet dhe është përgjysmuar. Pra, zonja Osmani duhet me urgjencë të vazhdojë punën në ndërtimin e Qeverisë së ardhshme, e mos ta shohë fare çfarë po ndodh në LDK”, ka deklaruar Zogaj.

Ndërkaq për deklaratën e anëtarit të VV’së, Haki Abazi, se “LDK’ja e mbetur mund të ketë ndonjë reformë e cila në një moment të caktuar mund të hedh një dritë që sheh Vjosa Osmanin si e ardhmja e Lidhjes Demokratike”, Zogaj te quan tendencioze.

Ai thotë se Abazi po tenton të duket kreativ, por në fakt po i shkakton dëme Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këto janë deklarata të pamençura dhe me një tendencë, të cilat u tërhoqën. Besoj që zotëri Abazi tash e ka problem akomodimin në LVV dhe tash tenton të duket kreativ, a në fakt po i shkakton dëme Vetëvendosjes. Nuk pyetet zotëri Abazi në këtë parti tashmë. E për këtë shkak, më shumë shihet si lapsus i tij sesa një strategji që LVV ka në lidhje me autoritetin tashmë të vulosur të zonjës Osmani në fitoren e 14 shkurtit”, ka deklaruar Zogaj.

Për mundësinë e kthimit të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, analisti Astrit Gashi, thotë se do të ishte pikënisje e mirë edhe dialogu ndërmjet këtyre dy palëve për çështjen e Presidentit.

“Së pari do duhej të ndërtohej një proces i rindërtimit të komunikimit, bashkëpunimit e ripajtimit në mënyrë që një afrim i tillë potencial të mos ishte artificial e si rezultat i pozitave. Një dialog mes Vjosa Osmanit dhe LDK’së për çështjen e Presidentit do të ishte një pikënisje e mirë në këtë drejtim”, ka deklaruar Gashi,

Gashi ka thënë për Express se çfarëdo lëvizje e shpejtë drejt afrimit të LDK’së dhe Osmanit, do të krijonte ndjesinë se gjithçka është një lojë e ndërtuar më herët.

“Çfarëdo lëvizje e shpejtë drejt një afrimi të LDK’së dhe Vjosa Osmanit do të ishte artificiale dhe tek qytetari do të krijonte ndjesinë se gjithçka është një lojë e ndërtuar më herët. Nuk e di a do të ndodhë kjo, por nëse ndodh, duhet të jetë e natyrshme”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq deklaratën e Haki Abazit, Gashi e quan “minë ndaj LDK’së”.

Sa i përket deklaratave të Haki Abazit, ato më duken si një vazhdim i një kalkulimi elektoral dhe tendencë ndikimi në zgjedhjen e kryetarit të LDK’së, në mënyrë që në fund, kushdo që zgjedhet të mos ndikojë në rikthimin e elektoratit që ka lëvizur në VV, por që ai të mbetet aty ku është sot. Haki Abazi nuk është zgjedhur që të flet rastësisht, por për shkak se ai ka pasur nëpër vite një afërsi me LDK’në. Kjo deklaratë është asgjë më shumë se sa edhe një minë që i vendoset LDK’së”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq kthimin e Osmanit në LDK nuk e sheh të mundshëm as analisti Fitim Salihu.

Ai deklaron se është nonsens që LDK ta ftojë në parti personin që i ka shkaktuar dëmin më të madh elektoral.

“Nuk ka sens që LDK’ja ta ftojë në parti personin që i ka bërë më së shumti dëm elektoral në historinë e saj mbi tridhjetëvjeçare. Vjosa Osmani ka dalë nga LDK’ja e vetëdijshme për dëmin që do t’ia shkaktojë LDK’së dhe madje, mund të themi, ka dalë pikërisht për t’i shkaktuar dëm LDK’së”, ka deklaruar Salihu për Express.

Madje, Salihu thotë se nëse LDK do ta kthente Osmanin si shefe të partisë, do të dëshmohej si një parti që vuan nga “Sindromi i Stokholmit”.

“Në rast se LDK’ja do ta kthente në parti, madje si kryetare, personin që i ka bërë dëm më të madh elektoral se Nexhat Daci, Hashim Thaçi, Albin Kurti, etj., atëherë LDK’ja do të dëshmohej si një parti mazokiste që vuan nga “Sindromi i Stokholmit”, duke i dashuruar dhe respektuar ata që e dëmtojnë më së shumti”, ka deklaruar Salihu.

E deklaratën e Haki Abazit, Salihu e sheh si një shënjues të mendësisë totalitare përmes së cilës, partia-shtet i jep të drejtë vetës të bëjë përzgjedhjen e liderëve të partive tjera.

“Deklarata e Haki Abazit është shënjues i një mendësie totalitare që pretendon se partia-shtet jo vetëm që e kontrollon gjithë shtetin sipas sloganit “krejt dhe drejt”, por tash i jep të drejtë vetes edhe t’i përzgjedh liderët e partive opozitare”, ka thënë Salihu. Në një shtet ku Qeveria pretendon se mund të vendosë se kush e udhëheq një parti opozitare, në atë shtet ngulfatet fryma demokratike dhe i hapet shteg autoritarizimit dhe totalitarizmit”, ka deklaruar Salihu.

Komento: