A do të largohet KFOR-i nga Kosova, përgjigjet NATO

18:41 | 18 December 2018

Kosova tashmë ka krijuar Ushtrinë e saj, por ende nuk dihet se çfarë do të ndodh me KFOR-In.

Zëvendës ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe politika të sigurisë, James Appathurai, ka thënë se brenda NATO-s nuk përmendet mundësia e largimit të KFOR-it nga Kosova dhe as ndryshimi i mandatit të tij, derisa shton se as në Kombet e Bashkuara nuk është shqyrtuar diçka e tillë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të theksohet se roli i KFOR-it në një mjedisi të sigurt nuk është i hapur për pyetjen apo diskutimet brenda NATO-s. Siç thashë, ne kemi një mandat nga OKB dhe do të vazhdojë të zbatohet. Mendoj se është baza më e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, ka thënë Appathurai, transmeton lajmi.net.

Ai po ashtu ka shtuar se NATO është e shqetësuar se vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës nuk do të sjellë stabilitet më shumë dhe se mund të ketë efekt të kundërt, përcjell lajmi.net.

“Sekretari i Përgjithshëm ka qenë shumë i qartë në lidhje me shqetësimet e tij dhe të NATO-s. Një nga fjalët kyçe që ai ka përdorur ka qenë “i parakohshëm”. Ne jemi të shqetësuar se kjo nuk do të çojë në stabilitet më të madh, përkundrazi. Dhe se kjo nuk ishte koha e duhur për ta ndërmarrë këtë hap. Aleatët e ndryshëm kanë shprehur pikëpamjet e tyre kombëtare, por kjo është pikëpamja e udhëheqjes së NATO-s”, ka thënë ai në një intervistë për European Western Balkans.

Appathurai po ashtu ka theksuar se NATO është duke diskutuar, se çfarë lloj mbështetje do të ofroj tani në Kosovë.

“Çfarë do të ndodhë tani është një diskutim brenda NATO-s në lidhje me rolin mbështetës dhe si ose nëse ajo ecën përpara. Sekretari i Përgjithshëm ka qenë shumë i qartë që nga fillimi, kur erdhi ideja e parë, se ky rol do të duhej të rishikohej nëse Prishtina ndërmerr hapa, të cilat i mori javën e kaluar. Unë mendoj se së shpejti do të fillojmë me diskutimin me aleatët rreth asaj se çfarë lloj mbështetjeje do të vazhdojë të jap NATO, ose jo”.

Appathuri vlerëson se edhe opinioni në Serbi nuk e sheh plotësisht se sa kanë arritur NATO dhe Serbia me një punë të përbashkët, por bie nën ndikimin e disa politikanëve që injorojnë ato rezultate.

Më vjen keq për këtë dhe jo pse mendoj se populli serb duhet të pranojë NATO-n, por duhet të jetë i ndërgjegjshëm për punën që kemi bërë bashkë, ka thënë ai

Komento: