A do të luaj apo jo Icardi në ndeshjen e kthimit!?
Spalletti nuk e di ende nëse Icardi do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit me Eintracht Frankfurtin.
Trajneri i Interit, Luciano Spalletti, ka analizuar barazimin 0-0 të marrë në fushën e Frankfurtit në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Europa League.
Interi mund të ishte rikthyer në Itali me fitore shumë të rëndësishme, nëse Marcelo Brozovic do të ishte treguar i saktë nga pika e bardhë në pjesën e parë, i cili gjuajti penalltinë në mungesë të Mauro Icardit.
Sulmuesi argjentinas mungon që kur klubi ia mori shiritin e kapitenit për t’ia dhënë Samir Handanovicit dhe nuk dihet ende se kur do të kthehet.
Sipas mediave italiane, ish-kapiteni refuzon të rikthehet për shkak të problemeve me klubin, ndërsa Spallettit besohet t’i ketë thënë se është i lënduar.
“Icardi në ndeshjen e kthimit? Marotta ka folur me të dhe duhet të pyesni atë. Ashtu siç e dini edhe ju, mua më ka thënë para disa ditësh se nuk mund të luante për shkak se ndiente një dhimbje në gju”, deklaroi Spalletti.