Platforma për Dialogun nesër do të votohet në Kuvendin e Kosovës.
Sot Komisioni për Punë të Jashtme i ka dhënë dritën e gjelbër Platformës për Dialogun.
Mbledhja e sotme e Komisionit me gjashtë vota pro, i ka dhënë dritën e gjelbër Platformës për Dialogun me Serbinë që pritet nesër të votohet në Kuvend.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit nuk morën pjesë anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, raporton lajmi.net.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që seanca për Platformën e Dialogut do të mbahet nesër në ora 09:00.
Kjo do të jetë një seancë e jashtëzakonshme, pas së cilës në orën 10:00 do të vazhdohet me seancën e rregullt.
Ndërkohë, pas bojkotimit që i bënë sot mbledhjes së Komisionit, lajmi.net ka kontaktuar me dy partitë më të mëdha opozitare, LDK e Vetëvendosje për t’i pyetur nëse do të marrin pjesë në seancën e nesërme.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për lajmi.net ka konfirmuar se Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në seancën e nesërme.
Ndërsa në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi nuk ka treguar nëse do të marrin pjesë në seancën e nesërme.
“Jemi duke e shqyrtuar dhe ende nuk kemi vendosur nëse do të marrim pjesë”, ka thënë shkurt Kurteshi.
Vazhdimisht mazhoranca ka bërë thirrje te partitë opozitare për të marrë pjesë në Platformën për Dialogun dhe në Delegacionin e Kosovës, por këta të fundit nuk kanë pranuar.
Kjo Platformë, po shihet si një qëndrim i unifikuar i Kosovës në dialogun me Serbinë dhe mbetet të shihet nëse do të kaloj nesër në Kuvendin e Kosovës.