
Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar protesta për datën 26 korrik.
Kjo pasi, Qeveria e Kosovës nuk i ka përfshirë në Ligjin për Pagën Minimale.
Lidhur me këtë protestë të thirrur nga veteranët, për Front Online ka folur kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari.
Jashari tha se do të presin deri në vendimin e Kushtetueses për Ligjin për Pagën Minimale, e tani të veprojnë.
“Sot bashkërisht edhe me veteranët e invalidë kemi marr vendim që me pritë për interpretim Kushtetuesen meqenëse i është drejtuar Aleanca dhe të tjerët. Është një rrugë e duhur meqenëse edhe Presidentja nuk e ka dekretuar, presim interpretimin e Kushtetueses kjo nuk do të thotë që kemi hequr dorë nga protestat po te shohim se qysh po rrjedhin gjërat”, thotë Jashari.
Jashari tha se nëse nuk ka ndonjë interpretim për këtë ligj Kushtetuesja, veteranët do të vazhdojnë me protesta.
Ai ka treguar edhe për kërkesën që kanë pasur për deputetët kjo kategori.
“Ne do të vazhdojmë me qëndrimet tona dhe do të bllokojmë Kuvendin dhe kemi kërkuar nga deputetët që kanë qenë pjesë të luftës që ata të bllokojnë seancën në Kuvend karshi kësaj kategorie që është meritore për gjithçka”, deklaroi Jashari.
Me 21 korrik, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vlerësimin e Ligjit për Pagën Minimale.
“Së bashku me këshilltaren e grupit, znj. Fixhrije Dragaj, sapo dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën tonë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale. Synimi ynë është që me rrugë kushtetuese të ndalim një padrejtësi të madhe rreth Pagës Minimale!”, ka thënë Tahiri.
Protesta e fundit për këtë pakënaqësi është mbajtur me 15 korrik.