Liberalizimi i vizave, vazhdon të mbetët tema kryesore dhe shqetësimi më i madh për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se liberalizimi i vizave mund të ndodhë brenda vitit 2018. Megjithatë, në përgjigjen e përfaqësisë së përhershme austriake në BE, kjo gjë është absolutisht e pamundur, për shkak se procesi është ende në fazën fillestare dhe nuk figuron askund në agjendë për këtë vit.
Pavarësisht deklarimeve të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, se liberalizimi i vizave mund të ndodhë edhe gjatë këtij viti, një gjë e tillë bazuar në punën që po bëhet nga Përfaqësia e Përhershme e Austrisë në Bashkimin Evropian duket e pamundur që të ndodhë në vitin 2018.
Në një përgjigje të dhënë nga zëdhënësi i presidencës austriake, thuhet se kjo çështje është diskutuar në disa nivele të grupeve punuese, megjithatë vazhdon të mbetet në shkallën e parë, atë të diskutimit në nivelin e ekspertëve.
“Si udhëheqëse e Presidencës së Këshillit, Austria ka organizuar shumë diskutime në Grupin Punues të Vizave dhe në një takim të nivelit të lartë të Grupit Punues si dhe në Komitetin Strategjik për Imigrimin, Kufijtë dhe Azilin. Kjo çështje është diskutuar gjithashtu në Grupin Punues për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këshilli është shumë i përqendruar në këtë pyetje, duke e pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje. Sidoqoftë, në këtë fazë procesi i vlerësimit të vendeve anëtare për propozimin e Komisionit është ende duke u zhvilluar në nivelin e ekspertëve”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Gazetën Express.
Në Grupin Punues të Vizave diskutohen kërkesat për viza të shteteve të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, siç është rasti i Republikës së Kosovë.
E ky grup punues sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të Këshillit Evropian, pritet të takohet me 21 janar 2019 dhe 23 shkurt 2019.
Në momentin që këto diskutime përfundojnë në nivel të ekspertëve, ato zhvendosen në nivel të ambasadorëve, gjë që do të marrë përsëri shumë kohë, pasi që në grupin e ekspertëve pothuajse ka përafërsisht dy muaj që po vazhdojnë diskutimet lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.
E sipas informacioneve të dhëna nga Përfaqësia e Përhershme e Austrisë, pasi të përfundojnë diskutimet në nivel të ekspertëve dhe të ambasadorëve, bazuar në konkludimet që do të nxirren nga diskutimet në këto dy instanca të Presidencës, do të vendoset nëse çështja e liberalizimit të vizave do të shtyhet drejt Këshillit të Ministrave apo jo.
Edhe Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK, thotë se askund në agjendë të takimeve të këtij fundiviti, nuk parashihet që të diskutohet për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Duke marr për bazë agjendën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit, mund të konfirmojmë se në asnjë prej 10 përbërjeve të Këshillit të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave nuk është paraparë të jetë në agjendë të takimeve”, ka thënë Kryeziu për Gazetën Express.
I pyetur rreth deklaratave të lëshuara në drejtim të BE-së, nga krerët e institucioneve të Kosovës, ai thotë që duhet pasur kujdes më të shtuar bazuar në rëndësinë që ka çështja e liberalizimit të vizave.
“Në këtë kontekst, duke pas parasysh rëndësinë publike të çështjes së liberalizimit të vizave, ftoj të gjithë përfaqësuesit të institucioneve që të janë të matur dhe të saktë në aspektin procedural të vendim-marrjes në procesin e liberalizimit të vizave”, ka shtuar ndër të tjera ai.
Por edhe përkundër këtyre procedurave nëpër të cilat pritet të kalojë çështja e liberalizimit dhe agjendën e Këshillit të Evropës, kryeministri Haradinaj është shprehur optimist se një gjë e tillë mund të ndodh edhe brenda këtij viti.
“Unë besoj që do ta marrim liberalizimin e vizave në një të ardhme jo fortë të largët. Të paktën jo ato që e ka thënë komisioneri Hahn në Prishtinë [ viti 2020]. Pra ne po synojmë që ky vendim me u marrë tash para vitit të ri, me e marrë sa ma shpejtë edhe pas vitit të ri, se është e drejtë e jona”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë para gazetarëve të mbajtur me 18 dhjetor të vitit 2018.
Ai ka shtuar se vendimi për liberalizim të vizave nuk ndërlidhet me vendimin për taksën e vendosur ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.