A do të ndodh liberalizimi i vizave këtë vit? Ja çfarë thonë ekspertët – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

A do të ndodh liberalizimi i vizave këtë vit? Ja çfarë thonë ekspertët

21:50 | 26 Janar 2019

Kosova mbetet shteti i vetëm i izoluar në Evropë.

E fillimi i këtij viti Kosovën e ka gjetur me probleme të mëdha, shkruan lajmi.net.

Përveç problemeve të shumta të trashëguara integruese nga viti i kaluar, Kosova në vitin 2019 po përballet edhe me probleme brenda shtetit, me greva e bllokada në arsim e shëndetësi.

Një nga premtimet e shpeshta të politikanëve që nuk është realizuar ende, është edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës që mundëson lëvizje të lirë.

E së fundmi, nga Bashkimi Europian kanë dalë zërat se shteti i Kosovës ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe tani është në dorën e shteteve anëtare të vendoset për këtë.

Këtë e ka konfirmuar edhe shefja e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, e cila është shprehur se Kosova nuk do të ketë kritere shtesë për liberalizim të vizave.

Pas shumë datave dhe afateve kohore të dhëna ndër vite për liberalizim të vizave e që nuk ndodhi, krerët e shtetit pas këtij lajmi përsëri kanë dhënë një afat kohor.

Sipas tyre, liberalizimi i vizave do të ndodh në qershor të këtij viti.

Por, ekspertët e integrimeve evropiane këtë e shohin mjaft me skepticizëm, ata madje theksojnë se liderët institucional do duhej të merrnin mësim nga e kaluara dhe të mos japin afate kohore.

Taulant Kryeziu, ekspert i integrimeve evropiane, në një prononcim për lajmi.net është shprehur se vendimet e BE-së merren gjithnjë sipas rezultateve e në këtë rast, shqetësimi i disa vendeve antare është në fushën e sundimit të ligjit.

“Unë mendoj që liderët tanë institucional është dashur të marrin mësimin që të mos prononcohen sa i përket afateve kohore për një vendim politik të vendeve anëtare të BE-së që gjithnjë merret në bazë të rezultateve, e në këtë rast po e dijmë që shqetësimi i vendeve anëtare është në fushën e sundimit të së drejtës, në fushën e asaj që po i themi luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar”, është shprehur Kryeziu.

Kryeziu gjithashtu ka potencuar se ka ende vende të cilat janë skeptike sa i përket kësaj fushe, do të thotë fushës së sundimit të së drejtës, ani pse Kosova i ka përmbushur 95 kriteret dhe komisioni e ka përfunduar punën e vet.

Mirëpo, ai ka theksuar gjithashtu se përmendja e datave nuk do të ishte e drejtë, pasi që liderët shtetëror sipas tij këtë e kanë përdorur gjithmonë për poena politik, por pastaj kjo është kthyer në frustrim për qytetarët.

“Përmendja e datave nuk do të ishte as e drejtë, mirëpo një gjë e tillë, kam besuar se ka qenë mësim i mbarë përl liderët tanë që të gjithë e përdorin për të fituar poena politik, mirëpo në fund, ajo po kthehet në një frustrim për qytetarët dhe në anën tjetër ata në vend se ta fitojnë atë perceptim pozitiv publik, vetëm sa po e rëndojnë figurën e tyre, kushdo qoftë prej tyre që përmend afate kohore”, ka vazhduar Kryeziu për lajmi.net.

Në anën tjetër, eksperti tjetër i integrimeve evropiane, Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur gjithashtu se afatet kohore janë gjithmonë gabim për shkakun se asnjë lider institucional e politik nuk është në gjendje të përcaktoj cili do të jetë qëndrimi i shteteve anëtare të BE-së.

“Do të thotë, sa herë jepen afate se kur do të ndodh liberalizimi i vizave unë mendoj se është gabim për shkakun se nuk është në gjendje asnjë personalitet i Kosovës, asnjë lider institucional, asnjë lider politik me e përcaktu, se cili do të jetë qëndrimi i shteteve, sepse në fund të ditës vendimi merren nga qëndrimi i shteteve. Ne i kemi 5 vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe normalisht e rrjedhimisht dihet se këto shtete nuk do ta përkrahin liberalizimin e vizave, përkatësisht vendimin pozitiv për vizat”, është shprehur Mazreku për lajmi.net.

Sipas Mazrekut, duke marrë parasysh mënyrën se si merren vendimet në Bashkimin Evropian, një vendim pozitiv për vizat për Kosovën është i paparashikueshëm.

“Pastaj ka disa shtete skeptike, që kanë manifestuar skepticizëm sa i përket liberalizimit të vizave, por në cilindo skenar, në cilindo version, duke marrë parasysh mënyrën se si merren vendimet në Bashkimin Europian, përkatësisht rolin që shtetet kanë në marrjen e këtij vendimi, është i paparashikueshëm një vendim i tillë, pra një vendim politik i liberalizimit të vizave”, ka shtuar më tutje Mazreku.

Sa i përket ndërlidhjes së procesit të dialogut me liberalizimin e vizave, Taulant Kryeziu për lajmi.net është shprehur se është skenar i cili mund të qarkulloj, por kjo është jashtë aspektit procedural.

“Pastaj, në qoftë se, këta shohin që vendimmarrja politike në procesin e vizave, është e lidhur me procesin e dialogut, skenar i cili mund të qarkulloj, mirëpo kjo është jashtë aspektit procedural të këtij procesi. Ne e dijmë që kanë mbetur edhe 6 hapa deri të kulmohet me vendimin final të Këshillit të BE-së”, është shprehur Kryeziu.

E ndryshe nga eksperti Taulant Kryeziu mendon eksperti tjetër Avni Mazreku, ai është shprehur se ky është gabimi kryesor i liderëve institucionalë, kur mendojnë që viza lidhen me procesin e lobimit apo premtimet që vijnë nga teknokratët e BE-së.

“Nuk ka lidhje absolutisht dhe ky është gabimi kryesor i liderëve tanë institucional, kur mendojnë se procesin e lobimit, apo premtimet që vijnë nga teknokratët e bashkimit evropian e që në fakt ne e patëm edhe një rast eklatant në Kosovë kur ministrja e integrimeve tha që neve na ka premtuar Bashkimi Evropian për një çështje x ose tjetër, kjo është e pamundur të ndodh për shkakun se Johannes Hahn apo Mogherini të themi simbolikisht, ose cilido prej teknokratëve nuk mund të garantoj në emër të 28 shteteve, janë vetëm 28 shtetet ato të cilat mund të garantojnë për një vendim eventual”, ka shtuar më tej Mazreku për lajmi.net.

Më tutje Mazreku është shprehur madje se kjo është vetëm mungesë e njohjes së funksionimit të Bashkimit Europian.

Nuk besoj që 28 ministra ose shefa të shteteve janë takuar dhe i kanë premtuar ndonjë lideri tonë se do ta marrim këtë ose atë vendim, sepse në fund varet nga qëndrimi i këtyre 28 shteteve, prandaj askush nuk mund të premtoj se BE ka thënë këtë ose atë, kjo do të thotë vetëm mungesë e njohjes së funksionimit të BE-së”, është shprehur në fund Mazreku.

Komento: