A do të ndryshojë skena politike në vendin tonë?

23:30 | 21 March 2019

PDK-ja dhe LDK-ja këtë vit po mbajnë zgjedhje të brendshme.

Partia Demokratike e Kosovës është duke mbajtur zgjedhjet në degë dhe nën degë dhe së shpejti do të mbahen edhe zgjedhjet për kryetar të partisë.

E në anën tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë këtij viti do të ketë Kuvendin e brendshëm ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të partisë në një intervistë para disa muajsh për lajmi.net.

Të njëjtën nuk e ka bërë kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i cili as në konferencën e mbajtur dje nuk e ka qartësuar pozicionin e tij në zgjedhjet e reja të partisë.

Por sa mund të ndikojnë zgjedhjet e këtyre brendshme të këtyre dy partive në komplet skenën politike në Kosovë?

Lajmi.net ka kontaktuar me njohësin e proceseve politike ndër vite, Ridvan Emini i cili ka shpjeguar se çfarë mund të ndodh pas këtyre zgjedhjeve.

Ai është shprehur se me përfundimin e luftës Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur garniturës më me eksperiencë në politikë.

“Me përfundimin e luftës në Kosovë, mund të themi se kemi pasur një elitë të re politike në të gjitha partitë e atëhershme, pavarësisht se në LDK mund të thuhet se ishte një garniturë e politikanëve më me eksperiencë dhe më të pjekur në moshë. Pas 18 vitesh në skenën politike kjo elitë thuajse gati sa nuk u ndërrua nga një gjeneratë e re në vitin 2017, e cila e përbënte kryesisht Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Emini.

Ai gjithashtu ka shtuar se partitë politike në Kosovë duhet të hyjnë në reforma të thella sepse do të jenë të rrezikuara nga çdo nismë e re.

Nëse partitë politike nuk i hyjnë një reforme të thellë të brendshme si në përmbajtje po ashtu edhe në freskim me një brez të ri, ato do të jenë të rrezikuara nga cila do nismë e re e cila në gjirin e saj ka rini”, është shprehur Emini për lajmi.net.

Emini ka theksuar se brezi aktual i politikës i ka ditët e numëruara për arsye se temat politike të tyre janë konsumuar prej kohësh.

Ai gjithashtu është shprehur se 3 deri në 5 vitet e ardhshme skena politike do të rikonfigurohet pothuajse në tërësi.

“Ky brezi aktual i elitës politike konsideroj se është duke numëruar ditët, sepse temat e tyre politike janë konsumuar prej kohësh. Nëse ky brez ka pas për kauzë, çlirimin e vendit, pavarësimin e vendit atë e kanë arritur. Nëse ky brez e ka pas për kauzë, liberalizimin me BE dhe demarkacionin me shtetet fqinje me të cilat kufizohemi apo edhe negociatat me Serbinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, edhe këto në një periudhë dy vjeçare do të arrihen, andaj ky brez e përfundon misionin e vet mjaft të vështirë por që do të mbeten në analet e historisë për kontributin e dhënë. Në 3-5 vitet e ardhshme skena politike do të rikonfigurohet thuajse në tërësi në Kosovë; do të jetë një brez i ri me shumë anonimusa dhe kësaj situate pak individ të elitës politike aktuale do të arrijnë që t’i mbijetojnë për të mbetur edhe më tej faktor politik”, tha Emini për lajmi.net.

Emini ka folur për zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës, e cila sipas tij po reformohet duke përfshirë në struktura njerëz të rinj, edhe në politikë, por edhe në moshë.

“Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës të cilat janë duke u zhvilluar tash e sa kohë e që shumë shpejt do të kryhet ky proces, siç po duket janë duke sjellur në krye të degëve dhe nëndegëve të saj njerëz të ri të cilët asnjëherë më parë nuk kanë qenë të ekspozuar apo janë krejtësisht të ri në parti. Madje, duket se përveç kësaj janë të ri në moshë. Në disa degë të kësaj partie brezi i ‘vjetër’ apo të cilët janë në skenën politike tash e disa vite apo edhe përmbi një dekadë, publikisht patën lëshuar rrugë gjeneratës së re, vlen të përmendet rasti në degën e Shtime-s ku deputeti Fatmir Xhelili kishte bërë një veprim të tillë, gjithashtu edhe në degën e PDK-së në Podujevë duket se është një situatë thuajse e ngjashme, ku në garë janë dy kandidatë të ri, njëri i ri edhe në moshë, ndërsa në nëndegët e kësaj dege janë zgjedhur gati të gjitha strukturat e reja me njerëz të ri pra me anonimusa politik. Kryetari i kësaj partie Kadri Veseli, kishte lajmëruar se do të ketë reforma të thella brenda partisë, e kjo kishte nënkuptuar se do të sjellë një brez të ri në strukturat e partisë”, ka shpjeguar Emini.

Në anën tjetër, ai ka folur edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se nëse LDK vepron njëlloj si PDK, atëherë skena politike do të rikonfigurohet pas 3 deri 5 vitesh.

“Nga ana tjetër Kryetari aktual i LDK-së Isa Mustafa në një konferencë për media tha se partia e tij do të hyj në zgjedhje, dhe mirëpret kandidatët e ri për në krye të këtij subjekti, duke mos folur rreth mundësisë së kandidimit të tij përsëri për pozitën e të parit të partisë. Nëse edhe ky subjekt politik vepron ashtu siç është duke vepruar PDK, konsideroj se skena politike në vend do të rikonfigurohet ashtu siç e ceka më parë brenda 3-5 vitet e ardhshme”, ka shpjeguar Emini.

Vlen të theksohet fakti se për të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidaturën e ka shpallur vetëm një anëtar i LDK-së, e që është Lutfi Haziri, njëkohësisht kryetar i Komunës së Gjilanit, gjë që e bën interesante garën për të parin e LDK-së.

Emra të tjerë të përfolur në media rreth mundësisë që të jenë kandidat për të parin e LDK-së, janë edhe Agim Veliu, Vjosa Osmani e Gazmend Muhaxheri.

Ndërsa në Partinë Demokratike të Kosovës, vërehet një atmosferë për vazhdim të mandatit të Kadri Veselit në krye të partisë.

Komento: