A do të përsëritet balotazhi në Prishtinë? Gjykata Kushtetuese lëshon vendimin

16:03 | 04 February 2019

Kandidati i LKDK-së për kryetar të Prishtinës , Arban Abrashi ka humbur rastin kundër Shpend Ahmetit për zgjedhjet në Prishtinë.

Abrashi e ka humbur rastin që e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kundër kryetarit aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dalë në favor të Shpend Ahmetit, ku vendoset se ai mbetet kryetar i Komunës së Prishtinës dhe se nuk do të ketë zgjedhje në Prishtinë, ashtu siç kishte kërkuar kundërshtari i tij nga LDK-ja, Arban Abrashi.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Prishtinë, të paraqitur kundër vendimit të PZAP-it”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në aktgjykimin e Kushtetueses thuhet se gjykata, njëzëri, refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesve të kërkesës për seancë dëgjimore sepse nuk konsideroi se kishte ndonjë paqartësi rreth “provave apo ligjit”.

Gjykata konstatoi se dokumentet e përfshira në kërkesë janë të mjaftueshme për të vendosur meritat e këtij rasti.

Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pretenduan se Gjykata Supreme, por edhe PZAP-i, në procedurat e zhvilluara për shqyrtimin e ankesave dhe apeleve të tyre, kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje gjyqësore të të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutë dhe, për pasojë, vendimet e këtyre autoriteteve publike, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave të tyre zgjedhore dhe të pjesëmarrjes të garantuara me nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi e kishte çuar në Kushtetuese në maj të vitit të kaluar zgjedhjen e Shpend Ahmetit për Kryetar të kryeqytetit, e cila ka të bëj me vlerësimin e zgjedhjeve të raundit të dytë të balotazhit në Prishtinë të vitit 2017.

Shpend Ahmeti që kishte garuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka dalë fitues i zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës, duke marrë edhe mandatin e dytë për ta drejtuar kryeqytetin.

Ahmeti fitoi këto zgjedhje pas numërimit të votave me kusht, me postë dhe personave me aftësi të kufizuara.

Komento: