A do të rikthehet Neymari këtë verë tek Barcelona.
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka përjashtuar mundësinë e kthimit të Neymarit në Barcelonë, duke theksuar se klubet janë dëmtuar nga kriza e koronavirusit dhe kjo do të vërehet edhe gjatë afateve kalimtare.
28-vjeçari Neymari ka qenë i spekuluar për një kthim te gjigantja e La Ligës gjatë afatit kalimtar të verës, tre vjet pasi ishte larguar nga atje për t’u transferuar në Paris Saint-Germain për 222 milionë euro.
Neymari thuhej se e dëshironte një transferim të tillë edhe gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, mirëpo dy klubet nuk arritën marrëveshje dhe braziliani mbeti në stadiumin Parc des Princes.
Megjithatë, shpresa e tij për t’u kthyer në Camp Nou thuhet se nuk është shuar ende dhe ai shpreson se do të mundë ta realizojë këtë dëshirë të tij këtë verë, kur Barcelona shpreson ta bindë PSG-në me një ofertë më të ulët.
Por, mbi këto shpresa ka hedhur dyshim pikërisht presidenti i klubit katalonas.
“Një operacion i tillë s’ka gjasa të ndodhë sepse situata në klubet evropiane është shumë e vështirë”, ka thënë Bartomeu.