
E ardhmja e Jurgen Klopp vazhdon të jetë temë diskutimi në mediat sportive, pasi së fundmi janë shtuar raportimet që e lidhin atë me një aventurë të re jashtë futbollit evropian.
Sipas disa burimeve, Al Ittihad po shqyrton mundësinë që ish-trajneri gjerman të marrë një post drejtues në klub, konkretisht atë të Drejtorit Teknik. Në këtë rol, Klopp do të ishte i përfshirë në strategjinë sportive dhe në vendimet që lidhen me transferimet e lojtarëve.
Megjithatë, përfaqësuesi i tij, Marc Kosicke, ka hedhur poshtë këto spekulime, duke deklaruar se nuk ka asgjë konkrete sa i përket një kalimi të mundshëm në Arabinë Saudite.
Në anën tjetër, gazetari i njohur për lajmet e merkatos, Sacha Tavolieri, pretendon se kontaktet mes palëve mund të jenë riaktivizuar kohët e fundit, çka ka rritur zërat për një lëvizje të mundshme të Klopp drejt futbollit saudit.
Aktualisht, Klopp mban një rol drejtues në strukturën e RB Leipzigut dhe raportohet se nuk ka ndërmend të marrë një vendim përfundimtar para nisjes së sezonit të ri dhe mbylljes së afatit kalimtar të verës.
Edhe pse kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2029, prej kohësh qarkullojnë raportime që flasin për pakënaqësi brenda klubit dhe mundësinë e një largimi më të hershëm nga sa ishte planifikuar fillimisht.