Reagon presidenti i Barcelonës, pas lajmeve se Messi po i bashkohet Interit.
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka këmbëngulur se Lionel Messi do ta ripërtërijë kontratën me klubin katalonas, pas thashethemeve të mëdha në ditët e fundit se superylli argjentinas do t’i bashkohet Interit.
Mediat italiane kanë raportuar vazhdimisht gjatë kësaj jave se Messi do të kalojë në Inter verën e ardhshme, aq më tepër tani kur babai i tij ka blerë shtëpi në Milano, transmeton Gazeta Express.
Messit i mbaron kontrata me Barçën vitin e ardhshëm, por pavarësisht, shefi i klubit thotë se ai do të pensionohet si lojtar i katalonasëve.
“Messi e ka thënë disa herë se dëshiron të pensionohet këtu dhe unë nuk e kam asnjë dyshim se ai do ta ripërtërijë kontratën me ne”, tha Bartomeu.
“E kam një lidhje të ngushtë me të, siç e kam me çdo kapiten”, shtoi ai.
Ai foli edhe për Lautaron Martinezin, duke zbuluar se negociatat me Interin janë ndërprerë deri në përfundim të sezonit në Ligën e Kampionëve.
“Ne kemi biseduar me Interin, por bisedimet janë pezulluar për momentin. Jemi të përqendruar në Ligën e Kampionëve tani”, shtoi ai.