Inzaghi në prag të shkarkimit, drejtuesit të pakënaqur me të
Katër humbje në tetë javë kampionat, 12 pikë nga 24 të mundshme të grumbulluara dhe Inter e gjen veten në vendin e nëntë të renditjes, tetë pikë larg kryesuesve të Napolit dhe Atalantës.
Zikaltërit janë autorë të një starti të dobët dhe tashmë presidenti Steven Zhang ka vendosur në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit Simone Inzaghi.
Në fakt, në fillimet e tyre, raporti mes palëve ishte tejet i ngrohtë, por rezultatet bëjnë që “kimia” të marrë fund dhe marrëdhënia të “ngrijë”.
Zhang është në pritje të një reagimi, ndeshja ndaj Barcelonës në Champions është e rëndësishme, por edhe më jetike është ajo në Serie A ndaj Sassuolos në transfertë.
Nëse skuadra del sërish pa pikët e plota nga fusha, atëherë Inzaghi bën mirë të paketojë valixhet pasi Steven Zhang nuk do të rrezikonte për asnjë arsye në botë që ekipi të mbetej jashtë katërshes së parë në fundin e sezonit. kjo pasi bilanci financiar është tejet i varur nga të ardhurat që klubit i vijnë prej pjesëmarrjes në Europë, dhe trajneri Inzaghi e di mirë këtë pjesë.