Qeveria ende s’ka përgjigje për veteranët të cilët po kërkojnë pushime në deti.
Duket se veteranët do të mund ta shohin vetëm në ëndërr detin për këtë vit.
Pushimet e tyre këtë verë ata do t’i kalojnë brenda Kosovës.
Tërë kjo ngase kërkesa e tyre për mbulimin e shpenzimeve nuk është shqyrtuar ende nga ekzekutivi.
Në organizatën e veteranëve thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje për këtë punë, por shprehen pesimist rreth realizimit të saj.
Ndërkohë, në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje me arsyetimin se janë të zënë.
Shkuarja e veteranëve në pushime me para të qytetarëve, kishte filluar të kthehej një traditë. Por, kësaj tradite duket se po i vjen fundi.
Për çdo vit ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kërkonin nga 300 mijë euro për të shkuar në deti e në banja.
Një kërkesë të tillë ata i kanë drejtuar ekzekutivit edhe këtë herë, por nuk pritet të realizohet. Deri tani nuk është shqyrtuar, e shqyrtimi i saj nuk pritet të bëhet as në ditët në vijim.
Por, edhe pse ende nuk kanë marrë përgjigje rreth kërkesës së tyre, në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së shprehen pesimist rreth realizimit të saj.
Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, i ka thënë Gazetës Express se ata ende nuk kanë marrë përgjigje nga Zyra e Kryeministrit.
Gucati thotë se ka informacione që kërkesa e tyre do të shqyrtohej në mbledhjen e sotme, por që nuk e di nëse është miratuar.
“Ende nuk kemi marrë përgjigje. Kërkesa është dërgu, por Qeveria nuk ka kthyer përgjigje. Sa e di sot ka pas me u shqyrtu në mbledhje të Qeverisë, por jemi kanë të zanë me disa aktivitet edhe hala nuk e di nëse u miratu ose jo”, ka thënë Gucati.
Nëse ekzekutivi e miraton një kërkesë të tillë, në deti pritet të shkojnë rreth 1 mijë e 300 veteranë, derisa nisja e tyre pritet të bëhet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut.
Por, pavarësisht përgjigjes që do të marrin për këtë kërkesë, veteranët thonë se nuk do të ndërmarrin asnjë veprim në shenjë pakënaqësie.
“Nëse nuk miratohet kërkesa nuk do të ndërmarrim asnjë veprim. Le të mbetet në ndërgjegjen e tyre refuzimi i kësaj kërkese”, ka thënë Gucati.
Deri tani, Qeveria e Kosovës u ka ndarë mjete veteranëve vetëm për shkuarjen nëpër banja.
“Në fillim të vitit patëm ba kërkesë për deti, për banjë edhe për shërim të veteranëve që gjenden nëpër spitale. Shyqyr që këto për banja, na i kanë dhanë. Tash kanë me shku 300 veteranë. E këta për deti që bahet mirë, po s’po besojmë. Nëse bahet kanë me shku rreth 1 mijë e 300 veteranë”, ka thënë Gucati.
E në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë dashur të flasin lidhur me kërkesën e veteranëve për mbulimin e shpenzimeve për shkuarje në deti.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi i ka thënë Gazetës Express se janë të zënë duke u marrë me vizitën e ish-Presidentit të SHBA’ve, Bill Clinton.
Vetëm ka thënë se të gjitha vendimet e marra në mbledhjen e sotme të Qeverisë, figurojnë në ëebfaqen e ZKM’së. Por, në listën e vendimeve që ka marrë ekzekutivi nuk figuron askund kërkesa e veteranëve.
Për të njëjtën çështje, para dy jave Gashi kishte thënë se ata kanë pranuar vetëm një kërkesë për mbështetje financiare për nevoja shëndetësore dhe nevoja të tjera në vlerë rreth 1 milionë euro.
Deri atëherë kishte thënë se ishin ndarë rreth 390 mijë euro, derisa për kërkesën për deti kishte thënë se nuk e di nëse do të miratohet.
“Në fillim të vitit organizata i kanë dorëzuar një kërkesë Qeverisë për mbështetje financiare rreth 1 milionë euro për nevoja të ndryshme shëndetësore dhe nevoja të tjera. Qeveria me vendim i ka ndarë në prill rreth 390 mijë euro, si përgjigje e pjesshme ndaj kërkesës së tyre. Kërkesë të posaçme për shkuarje në det nga kemi pranuar deri tani”, thuhej në përgjigjet e Zyrës së Kryeministrit.
Ndryshe edhe vitin e kaluar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me para të buxhetit të shtetit kanë shkuar në pushime dhe në banjë.