A duhet të vaksinohen fëmijët për COVID-19?

20:08 | 24 May 2021

Që nga javët e para të lindjes fëmijët vaksinohen për mbrojtje nga sëmundje të ndryshme dhe kjo është e pranueshme nga shumica. Por, në lidhje me Covid-19 po ka shumë pyetje.

SHBA tashmë ka imunizuar 600,000 fëmijë të moshës 12 deri në 15 vjeç. Është planifikuar që pas marrjes së të dhënave për siguri që dozat t’i marrin edhe moshat më të vogla.

Ndërsa, Britania e Madhe nuk ka marrë ende vendim por rekomandohen të vaksinohen vetëm ata me “rrezik shumë të lartë të ekspozimit dhe ata me pasoja serioze” – të cilët mund të përfshijnë fëmijë të moshave më të mëdha me aftësi të kufizuara të rënda, shkruan BBC, përcjell Klan Kosova.

Se a do të shpëtojë jetë vaksinimi i fëmijëve po mbetet një pyetje komplekse pasi përgjigja mund të ndryshojë nga vendi në vend. Vaksinat janë të sigurta por përfitimi dhe rreziku duhet të peshohen me kujdes. Një argument për mosvaksinimin e fëmijëve është së ata po preken më pak, po janë me simptome të lehta ose po janë asimptomatikë në krahasim me grupmoshat e vjetra.

“Për fat të mirë një nga të mirat e pakta në lidhje me këtë pandemi është se fëmijët shumë rrallë sëmuren seriozisht nga ky infeksion,” tha Prof Adam Finn, pjesëtarë në Komitetin e Përbashkët të Mbretërisë së Bashkuar për Vaksinimin dhe Imunizimin.

Në një studim të bërë në shtatë vende e të publikuar në revistën mjekësore Lancet, u tha se më pak se dy fëmijë në çdo milionë vdiqën si pasojë e virusit.

Moshave nga 2 deri në 12 vjeç në Britani u bëhet spërkatja e hundës në mënyrë që të mbrohen gjyshërit e tyre nga gripi. Pikërisht ky argument po përdoret që disa vende nga vaksinimi i fëmijëve mund të shpëtojnë jetë të tjera.

“Ka sigurisht prova të potencialit për transmetim në moshat e shkollës së mesme, kështu që vaksinimi mund të ketë një ndikim në transmetimin e përgjithshëm,” tha doktor Adam Kucharski, nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër.

E në anën tjetër, më shumë se një e katërta e 16 dhe 17-vjeçarëve në Angli kanë antitrupa pavarësisht se nuk janë vaksinuar. Kështu që Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e ngjashme mund të zbulojnë nëse kanë imunitet të mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e virusit pa vaksinuar fëmijët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vendet e pasura duhet të shtyjnë planet e tyre për të imunizuar fëmijët dhe t’i dhurojnë ato në pjesën tjetër të botës. Profesori, Andrew Pollard, i cili drejtoi testimet klinike të vaksinës Oxford-AstraZeneca, tha se ishte “moralisht e gabuar” të vendosësh përparësi për fëmijët.

Nga profesorët u tha se është vendim politik nëse do të vazhdohen ta vaksinohen fëmijët apo të lejohet të vdesin grupmoshat më të vjetra të shteteve tjera.

Komento: