Mëngjesin e 5 nëntorit, një patrullë policie që po vinte nga “Rrethi i Flamurit” në Prishtinë, kur arriti tek kryqëzimi me rrugën “Hendi Duman” në Ulpianë, goditi një veturë taksie e cila ia preu rrugën.
Përplasja, shoferin e kësaj të fundit e nxori jashtë makinës dhe e rrëzoi për toke duke i shkaktuar lëndime të rënda, të cilave Adem Llausha iu bëri ballë deri këtë 17 nëntor, kur vdiq në QKUK, raporton Klan Kosova.
Por, policia në raportin e 6 nëntorit, rastin e lajmëroi sikur 67 vjeçari goditi policinë, por në pamjet e kamerave që i ka parë Klani dhe të cilat i kanë edhe organet e rendit, del e kundërta, gjë e cila ka shqetësuar familjen.
Fehmiu, vëllai i Ademit, ka folur për lëndimet që kishte pësuar i vëllai si pasojë e këtij aksidenti, duke treguar se ndër të tjera ka pasur edhe qarje të kokës.
Ai gjithashtu kërkoi zbardhje të rastit teksa pohon se nuk kanë problem me policinë, por me individin.
Ndërkaq, polici shofer që ishte me katër kolegë në makinë atë mëngjes, të lënduar po ashtu, njëherë u suspendua, e të hënën edhe u arrestua nga Inspektorati Policor.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje për aksidentin e para dy javësh, teksa i ndjeri u varros të hënën në Begaj të Vushtrrisë.