
Haziri nuk e mohon se pozita e kryetarit të Kuvendit është pjesë e bisedimeve me VV-në.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka mohuar që ai ka insistuar që të hapet çështja e pozitës së kryetarit të Kuvendit, por nuk e ka mohuar që kjo pozitë është pjesë e bisedimeve me Vetëvendosjen.
“Ne në këto pozita jemi duke biseduar këto dy ditët e fundit. Nuk mund të them asgjë më shumë. Nuk mundem me thënë diçka që nuk është pjesë e imja të diskutojë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se nuk opsion tjetër për LDK-në pos votës blanko dhe shkuarjes në opozitë.
Haziri në Rubikon thotë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.
“Kurti është lider dhe e ka kapacitetin e përfaqësimit të tij, por zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ne jemi t interesuar t kemi qeveri stabile dhe t mos e bllokojmë vendin”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk po sheh zhvillime që partitë tjera mund ta bëjnë këtë qeveri.
“Jemi në ditët e fundit të arritjes së marrëveshjes, por nuk kam ide se kur do të mbyllet marrëveshja”, ka thënë ai.
Ai thotë se videoadresimi i Kurtit nuk është formë që e ka mirëpritur LDK-ja në kohën kur ishin në bisedime.
Sipas tij, komunikimi në formë të tillë nuk është i pëlqyeshëm, por se VV-ja është sqaruar lidhur me të.
Haziri ka thënë se brenda LDK-së nuk kanë filluar të flasin për emrat të cilat do të udhëheqin me ministritë, pasi sipas tij, fillimisht duhet të arrihet marrëveshja me VV-në.