A është FSK-ja e gatshme për Gjendjen e Jashtëzakonshme?

20:42 | 15 Korrik 2020

Po flitet për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme në vendin tonë.

FSK është e gatshme që të nisë së ushtruari funksionin e saj në rast të shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Në një fazë të tillë – sipas paralajmërimeve nga Kryeministri Avdullah Hoti – vendi mund të shkojë nëse masat qeveritare e marra këtë javë nuk tregojnë efektshmërinë në luftën kundër pandemisë së Covid-19.

Komandanti i FSK-së, Gjeneral Rrahman Rrama, ka thënë për klankosova se edhe për situatë të tillë ku bëhet fjalë për përballjen me një virus, kjo forcë i ka të përcaktuara detyrat e saj.

“Kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19 është specifike andaj edhe reagimi ynë në luftimin e saj në situatë të këtillë do të jetë në përputhje me strategjinë e përbashkët ku ndërthuren të gjitha kapacitetet e nevojshme të institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare në përputhje me autorizimet tona ligjore për situata specifike që parashihen edhe në Planin e Reagimit Kombëtar”, është shprehur Rama.

“Që nga shfaqja e rastit të parë në Kosovë, FSK, në kuadër të përgjegjësive dhe kompetencave kushtetuese dhe ligjore është e përkushtuar maksimalisht në luftën kundër pandemisë Covid-19”.

“Kriza nga pandemia Covid-19 është shëndetësore por afekton në aspektin social dhe ekonomik e që pashmangshëm afekton edhe në gjendjen e sigurisë së vendit dhe qytetarëve, andaj kërkohet gjithpërfshirje institucionale për përballje të suksesshme”.

Rama ka theksuar se funksionimi i ushtrisë në Gjendje të Jashtëzakonshme është i rregulluar me ligj.

“FSK është institucion i sigurisë dhe mbrojtjes e cila i nënshtrohet kontrollit të autoriteteve civile demokratike, kontroll ky i garantuar edhe në parimet e përgjithshme të Kushtetutës për sektorin e sigurisë së vendit.

“Në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në reagim ndaj pandemisë Covid-19, FSK do të ushtrojë funksionin e saj institucional, bazuar në dispozitat kushtetuese të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe dispozitat ligjore të Ligjit të FSK-së dhe Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës që përcaktojnë fushëveprimin, kompetencat dhe detyrat e saj për angazhim në përballje me një krizë të tillë”.

“FSK, një ndër tri detyrat kryesore ligjore ka mbështetjen ushtarake të autoriteteve civile andaj jemi të gatshëm që në funksion të përmbushjes së kësaj detyre si dhe detyrave tjera që vlerësojnë të nevojshme autoritetet vendimmarrëse të Këshillit të Sigurisë së Kosovës të angazhojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale në dispozicion të burimeve njerëzore, materiale, teknike, mbështetjes logjistike dhe kapaciteteve infrastrukturore”.

Si prijës ushtarak, roli i Gjeneral Ramës edhe për Gjendjen e Jashtëzakonshme është i përcaktuar me dispozitat ligjore të Ligjit të FSK-së dhe Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

“Komandantit i FSK-së, si autoriteti më i lartë ushtarak i FSK-së, është përgjegjës për komandimin, drejtimin e FSK-së si dhe përgatitjen, gatishmërinë dhe organizimin e veprimeve ushtarake dhe joushtarake në situatë paqe, krize dhe lufte”, ka theksuar ai.

“Prandaj në cilësi të Komandantit të FSK-së edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme do të ushtrojë autorizimet ligjore me kompetencë zyrtare dhe profesionale, mbështetur si gjithmonë në parimet dhe vlerat më të larta të lidershipit ushtarak”.

Se Ushtria e Kosovës është e gatshme të operojë tani në situatë emergjence, e që ka qenë edhe në të kaluarën e thotë edhe Gjenerali Kadri Kastrati, i cili e ka drejtuar vite më parë FSK-në.

“Ligji për FSK-në i përcakton detyrat. Një prej tyre është mbështetja e autoriteteve qendrore dhe lokale, ruajtja e jetës së pasurisë së njerëzve…”.
“Bazuar në këtë detyrë kjo forcë ka ngritur kapacitetet për të përmbushë atë. Ushtria e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore, infrastrukturore dhe të tjera që ta përmbush misionin. Ushtrua ka spitalin ushtarak, mjetet operative mjekësore, mjekë, teknikë dhe pajisje të tjera”.

Kastrati është shprehur se ushtarët kosovarë janë të gatshëm të japin kontributin e tyre edhe në situatë pandemie.

“Çdo ushtar i ushtrisë e ka të kryer kursin për kryer detyrat e teknikut mjekësor. Çdo ushtar në këtë drejtim mund të kryej punët elementare”.

“Në situatë të gjendjes së jashtëzakonshme ushtria e ka për detyrë që të kujdeset për objektet vitale, ta mbështesë policinë në detyrat e saj, si shembull ndihma në trafik. Ligji ia mundëson këtë”.
Për Kastratin tash Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete më të mëdha dhe mund të ia dalë mban në rastin e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Ai ka deklaruar se Komandanti i FSK-së nuk merr kompetenca shtesë në një gjendje të mundshme të jashtëzakonshme.

“Në rast të shpalljes së gjendjes emergjente, është Presidenti ai që merr kryesimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe aty Komandanti i FSK-së, është vetëm anëtar”.

Komento: