A është kushtetues emërimi i ministrit Rashiq?

18:29 | 05 December 2022

Emërimi i Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, thonë Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, e Mazllum Baraliu, profesor i së Drejtës Kushtetuese.

Por, për Ehat Miftarajn, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), një emërim i tillë nuk është kushtetues.

Rashiq, nga komuniteti serb, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Progresive, është emëruar ministër për Komunitete dhe Kthim nga Qeveria e Kosovës, më 1 dhjetor.

Posti ka qenë i zbrazët, pasi paraardhësi i tij, Goran Rakiq, nga Lista Serbe, ka dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.

Lista Serbe – subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, i përfaqësuar në Kuvend me 9 deputetë – ka reaguar, duke e konsideruar emërimin e Rashiqit si jokushtetues dhe të marrë pa pëlqimin e deputetëve serbë.

Ish-gjyqtarja e Kushtetueses, Gjyljeta Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto pretendime nuk qëndrojnë.

“Kushtetuta është e qartë: kryeministri ka kompetenca t’i ndërrojë ministrat edhe pa pëlqimin e Kuvendit të Kosovës”, thotë Mushkolaj.

Ajo kujton këtu paragrafin 4 të nenit 94 të Kushtetutës së Kosovës, i cili në mënyrë eksplicite thotë se kryeministri ka kompetencë “t’i ndërrojë anëtarët e Qeverisë, pa pëlqimin e Kuvendit”.

Kushtetuta është e qartë se në cilat raste duhet pasur miratimin e deputetëve [të komunitetit] që mban ulëse të garantuara”.

Megjithatë, neni 96 i Kushtetutës, i cili ka të bëjë me përfaqësimin e komuniteteve në Kosovë, thotë se zgjedhja e ministrave dhe zëvendësministrave bëhet pas konsultimit me partitë, koalicionet apo grupet që i përfaqësojnë ato komunitete.

Në rastin konkret, nëse një person që nuk i përket Listës Serbe emërohet ministër apo deputet, ai duhet të miratohet nga deputetët që e përfaqësojnë komunitetin shumicë në Kuvend, përkatësisht Lista Serbe.

Duke komentuar këtë dispozitë ligjore, Mushkolaj thotë:

“Kushtetuta është e qartë se në cilat raste duhet pasur miratimin e deputetëve [të komunitetit] që mban ulëse të garantuara: me rastin e zgjedhjes së Qeverisë; me rastin e miratimit të ligjeve me interes vital; me rastin e miratimit të amendamenteve kushtetuese. Por, asnjëherë kur gjatë mandatit të Qeverisë, kryeministri bën ndryshim të ministrave. Kosova bazohet në Kushtetutë, është shtet funksional”.

Për të njëjtën çështje, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se neni 96 i Kushtetutës së Kosovës është respektuar me rastin e votimit të Qeverisë në mars të vitit 2021.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Mazllum Baraliu, thotë po ashtu se komuniteti serb e ka shfrytëzuar të drejtën kushtetuese, pas zgjedhjeve të fundit, duke i ofruar kandidatët e tij.

“Tash, ata kanë dhënë dorëheqje, kanë hequr dorë nga e drejta… dhe Qeveria është ndërlidhur me nenin 94, paragrafi 4, ku thuhet se kryeministri mund t’i emërojë dhe shkarkojë ministrat pa u konsultuar fare me Kuvendin. Nëse dikush është i pakënaqur, mund ta kontestojë çështjen dhe ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar, ka paralajmëruar tashmë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në lidhje me emërimin e Rashiqit.

Por, Mushkolaj shprehet e bindur se Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të marrë ndonjë vendim ndryshe, sepse vendimi i Qeverisë, thotë ajo, është legjitim.

Ndryshe nga Mushkolaj dhe Baraliu vlerëson Ehat Miftaraj nga IKD-ja. Në aspektin kushtetues, emërimi i ministrit Rashiq nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj, thotë ai.

“Në Kosovë është ndërtuar praktika duke u bazuar në Kushtetutë, që në rastet e emërimit të ministrave që nuk janë anëtarë të Kuvendit, të kërkohet edhe miratimi formal i shumicës së komuniteteve, që janë deklaruar se e përfaqësojnë atë komunitet që është pakicë në Kosovë”, thotë Miftaraj.

Fakti se kjo praktikë nuk është ndjekur, tregon se bëhet fjalë për shkelje kushtetuese, shton ai.

Nga Bashkimi Evropian, zëdhënësi Peter Stano ka thënë po ashtu se, “sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i Nenad Rashiqit në postin e ministrit nuk është bërë në përputhje me Kushtetutën”.

Presidenti i Serbisë, Aleksanad Vuçiq, ka thënë se “Rashiq nuk i përfaqëson serbët e Kosovës”.

Ai ka përdorur fjalë fyese ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të këtij emërimi.

Nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë kanë thënë se Kurti, me këtë vendim, “ka shkelur brutalisht të ashtuquajturën Kushtetutë”.

Vetë ministri i sapoemëruar, Rashiq, thotë se Lista Serbe “duhet të angazhojë dikë” për t’ia qartësuar Kushtetutën e Kosovës, sepse “nuk e kupton”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se, si ministër, do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjitha pakicat në Kosovë, por, në mënyrë të veçantë, për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Në rend të parë do të merrem me fuqizimin e serbëve autentikë të Kosovës, rëndësinë e tyre në institucionet e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të tyre, pasi është i mundur. Pra, fillimisht do të fokusohemi në këto fusha”, thotë Rashiq.

Një pjesë e madhe e komunitetit serb në Kosovë është e integruar në institucionet e Kosovës, por në pjesën veriore funksionojnë, po ashtu, struktura paralele serbe.

Pas vendimit të Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe – i cili më pas është pezulluar – dorëheqje kanë dhënë të gjithë zyrtarët serbë nga veriu, si në nivelin lokal, ashtu edhe atë qendror të Kosovës.

Në vitin 2019, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga posti i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalon nga Lista Serbe, duke e zëvendësuar me Diana Zhiviqin nga Partia e Pavarur Liberale.

Shkarkimi i Rikalos ka qenë një nga kushtet e Partisë Socialdemokrate opozitare për mbështetjen e propozim-buxhetit të Qeverisë së Kosovës.

Edhe asokohe, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Lista Serbe e kanë kundërshtuar këtë emërim, duke thënë se ai “nuk paraqet vullnetin e popullit serb”. në Facebook.

Komento: