A është ky plani i SHBA-së për ndarjen e Kosovës?

12:25 | 12 February 2019

Korrigjimi i kufijve pritet të jetë temë diskutimi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Çështja e korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi mbetet një temë e nxehtë që po bën rajonin të “vlojë” nga tensionet, ndërsa fuqitë ndërkombëtare janë duke u rreshtuar secila krah marrëveshjes që mendojnë se është më idealja.

Ndërkohë mediat në krahun tjetër kanë nisur të zbulojnë detaje nga pakti final që mund të firmoset në Uashington, e që me shumë gjasë do të bëjë që Serbia të njohë Kosovën shtet të pavarur. Në një artikull të botuar sot, e përditshmja serbe “Danas” që është rreshtuar pranë qeverisë së Aleksandër Vuçic, ka zbuluar sipas saj planin amerikan për ndarjen e veriut të Kosovës.

“Danas” shkruan se afati i fundit për arritjen e marrëveshjes për Kosovën është shtyrë deri në fund të vitit. Kjo pasi gazeta thotë se Shtetet e Bashkuara tani janë të preokupuara me Venezuelën, kurse Bashkimi Evropian me zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Duke ju referuar burimeve të saj diplomatike perëndimore, të cilët komentojnë fazën aktuale rreth çështjes së Kosovës, gazeta shkruan se “Shtetet e Bashkuara janë për një korrigjim minimal të kufijve dhe shkëmbim territoresh, që do të nënkuptonte se Serbia do të merrte Leposaviqin, respektivisht ultësirën e Kopaonikut, kurse Kosova do të merrte fshatrat në komunën e Preshevës, në perëndim të autostradës (Korridorit 10), dhe është e mundur që Kosovës t’i takojë edhe Tërnoci i Madh në Komunën e Bujanocit”.

“Burimet tona thonë se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë idenë që i gjithë veriu i Kosovës t’i bashkëngjitet Serbisë, e kjo veçanërisht vlen për Mitrovicën e Veriut, dhe se formimi i Asociacionit të Komunave me Serbe është ende në pritje”, raporton “Danas”.

Sipas gazetës, formimi i Asociacionit është në pritje për shkak se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur jo kushtetues vendimin që i jep jetë atij.

“Problem të madh ka krijuar ish-presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç, kur ka thënë se kjo [Asociacioni i Komunave Serbe] do të jetë një ‘Republika Srpska’ e re, dhe në këtë mënyrë shkaktoi rezistencë për formimin e Asociacionit te shqiptarët, por edhe në Perëndim”, theksojnë diplomatët.

Ndërkohë presidenti serb Aleksandër Vuçiç duke folur për situatën aktuale, ka thënë se “nuk e di se çfarë duan më tepër përfaqësuesit e Kosovës nga Beogradi dhe nga bota”, transmeton gazeta shqip.

RTS citon Vuçiç duke thënë: “Serbia është duke pritur që Prishtina të heq taksën dhe të vazhdojnë bisedimet”.

Por, ai nuk ka dashur të komentojë deklaratën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se SHBA-të janë të gatshme të pranojnë që çështja e Kosovës të zgjidhet me “korrigjimin e kufijve”.

Thaçi nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se Mëngjesi i Lutjeve në Uashington, ku ai mori pjesë, “ishte një mundësi për t’u takuar me zyrtarë të lartë të SHBA dhe udhëheqësit nga e gjithë bota”, duke theksuar se “të gjithë në Uashington flasim me një zë për Kosovën”.

Komento: