Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka certifikuar Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kjo ndodhi gjatë mbledhjes së fundit të KQZ-së, ku Lista Serbe nuk e kaloi procesin e certifikimit për shkak të thirrjeve nacionaliste të kryetarit të saj, Zlatan Elek, gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Për certifikimin e Listës Serbe ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër. Anëtarët e tjerë kanë abstenuar. Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), parti opozitare, gjithashtu abstenuar, duke shprehur shqetësim se, përkundër faktit që Zyra për Regjistrimin e Partive Politike e ka vlerësuar se Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret, ai ndan shqetësimet e ngritura nga LVV.
Anëtarët e tjerë të KQZ-së kanë theksuar se Lista Serbe ka të drejtë të ankohet kundër këtij vendimi, duke u bazuar në vlerësimin pozitiv të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike.
Mbi këtë vendim ka reaguar Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde I cili ka thënë se procesi i certifikimit është procedurë formale që nuk duhet të politizohet.
“Unë ndaj shqetësimet e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me mos certifikimin e Listës Serbe. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është procedurë formale që nuk duhet të politizohet”, ka shkruar Rohde në X
Për moscertifikimin e Listës Serbe edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE kanë shprehur shqetësim.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë ka reaguar një ditë më parë duke thënë se ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe.
Ai tha se, “ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ. Veprime të tilla dëmtojnë parimet themelore demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, meqenëse ia çelin derën ndikimit subjektiv politik mbi procesin zgjedhor”.
Avokati i Popullit për mos certifikimin e Listës Serbe: Po presim për të parë siç po veprojnë institucionet tjera
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos certifikimin e Listës Serbe, duke thënë se po presin të shohin si do të veprojnë institucionet e tjera. Ai beson se do të krijohen mekanizma të tjerë që mund ta shqyrtojnë këtë vendim, ndërkohë që deri tani nuk ka ndonjë zhvillim të ri. Qelaj theksoi se po presin të shohin nëse do të ketë ankesa dhe, nëse ndodhin, do të veprojnë sipas procedurave të tjera.
‘’Ne po presim për të parë siç po veprojnë institucionet tjera. Besoj që do të ketë mekanizma tjerë që do ta shqyrtojnë këtë vendim. Deri atëherë nuk ka diçka, po presim a ka ankesa dhe si po veprojnë të tjerët’’, tha Avokati i Popullit për FrontOnline.
Ish-kryetari I KQZ-së: Vendimi i KQZ-së për Listën Serbe është Ligjor, diplomacia e huaj nuk duhet të ndërhyjë
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, ka reaguar në lidhje me moscertifikimin e Listës Serbe, duke dhënë një shpjegim të detajuar mbi këtë çështje. Ai ka theksuar se qytetarët duhet ta kuptojnë se ky vendim është marrë nga një organ tërësisht të pavarur, KQZ, i cili ka kompetencën ligjore për të marrë vendime të tilla.
‘’E para që duhet ta kemi të gjithë parasysh mediat qytetarët e të gjithë të tjerët se është fjala për një vendim të një organi apo institucioni të pavarur që është kompetent të marrë vendime të tilla’’, tha ish kryetari I KQZ-së për FrontOnline.
Baraliu theksoi se ky nuk është një rast i jashtëzakonshëm dhe se çdo vendim i KQZ-së mund të shqyrtohet përmes mekanizmave ankimorë të parashikuar nga ligji, ku pala e pakënaqur ka mundësinë të paraqesë ankesë në Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
‘’ Nuk është bërë kiameti nëse është marrë një vendim I cili I ka të gjitha instrumentet e mundshme ankimore në këtë rast, pra ka të drejtën pala e pa kënaqur që të ankohet në komisionin gjegjësisht në panelin e ankesave ‘’, deklaroi Baraliu.
Ai shtoi se, megjithëse KQZ është një organ i pavarur, vendimi i tij është marrë në përputhje me obligimet ligjore që ka ky institucion, dhe çdo gabim që mund të ketë ndodhur mund të rregullohet përmes procesit të ankesave.
‘’ Pavarësisht se është organ i pavarur e bjen vendimin në bazë të obligimeve pa marrë parasysh çfarë vendimi ka marrë më herët organi paraprak në këtë rast KQZ-ja dhe në qoftë e është bërë ndonjë gabim e përmirëson gjatë procesit të ankesave’’, theksoi Baraliu.
Baraliu e theksoi se ka pasur disa shkelje dhe abuzime të vazhdueshme nga ana e Listës Serbe, e cila, sipas tij, është e drejtuar nga Beogradi dhe ka vepruar në mënyrë që nuk është në përputhje me detyrimet që partitë politike në Kosovë duhet të respektojnë gjatë zgjedhjeve.
‘’ Ne të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë shkelje e abuzime të vazhdueshme ka bërë lista serbe e cila është dirigjuar totalisht nga Beogradi dhe publikisht ka deklaruar me veprime të caktuara që nuk kanë qenë në përputhje me obligimet që I kanë bazë çdo subjekt politik në baze të zgjedhjeve’’, deklaroi Baraliu.
Baraliu shtoi se, nëse ky vendim është i gabuar, ai mund të rishikohet nga një shkallë e dytë, konkretisht nga Gjykata Supreme, e cila do të vlerësojë ligjshmërinë e këtij vendimi dhe do të vendosë nëse ka pasur shkelje të ligjit.
Krasniqi: Vendimi i KQZ-së është politik, po të aplikohej i njëjti kriter duhet të ndalohej edhe certifikimi i “Vetëvendosjes” sepse Kosovën e quanin “shtet të përkohshëm”
Albert Krasniqi, drejtor i programeve në Organizatën Joqeveritare “Demokracia Plus”, ka thënë se vendimi për mos certifikimin e Listës Serbe ka shkelur procedurat ligjore dhe ka mohuar të drejtat kushtetuese të këtij subjekti politik për të marrë pjesë në zgjedhje. Ai theksoi se KQZ-ja nuk ka pasur asnjë bazë ligjore për të ndaluar certifikimin e Listës Serbe, pasi që, siç thotë ai, vetëm gjykatat kanë kompetencën për të marrë një vendim të tillë.
‘’E para në aspektin procedural kjo ka qenë një shkelje ligjore dhe një mohim i të drejtave kushtetuese të këtij subjekti politik për të marrë pjesë në zgjedhje.KQZ-ja nuk ka pasur asnjë bazë ose evidencë për të ndaluar certifikimin e subjektit politik , janë vetëm Gjykatat ato që mund të marrin vendime të tilla, pra që t’ia ndalojnë një subjekti politik të marrë pjesë në zgjedhje’’, tha Krasniqi.
Ai gjithashtu tha se, nëse Lista Serbe vendos të bëjë ankesë, kjo do të ndodhë brenda një afati prej 48 orësh, dhe më pas, paneli i KQZ-së ka 48 orë të tjera për të marrë një vendim përfundimtar. Krasniqi nënvizoi se, brenda këtij afati kohor, duhej që të përfundonte procesi dhe vendimi për certifikimin e Listës Serbe duhej të merrej pa vonesa.
‘’Konsideroj që nëse Lista Serbe bën një ankesë, do të kenë një afat kohor prej 48 orësh dhe pastaj ky panel ka edhe 48 orë tjera shtesë për të marrë një vendim dhe brenda këtyre 4 ditëve në maksimum do të duhej të përfundojë e gjithë kjo dhe duhet të marrë vendim për të certifikuar listën serbe’’, deklaroi njohësi.
Ai theksoi se arsyet për mos certifikimin e Listës Serbe janë të bazuara për faktorim politik dhe theksoi se është bërë për motive zgjedhore.
‘’Arsyet mbi të cilat është bërë mos certifikimi është vetëm politik dhe i bazuar për fushatë zgjedhore’’, theksoi Krasniqi.
Krasniqi gjithashtu theksoi se nuk mund të përdoret një video apo audio si dëshmi për të hequr të drejtat e certifikimit të një subjekti politik, pasi kjo është një praktikë që nuk është e pranueshme në një proces të tillë.
Ai shtoi se, nëse do të ishte kështu, duhet të ndalohej edhe Lëvizja “Vetëvendosje” për deklaratat e disa anëtarëve të saj, të cilët kanë thënë se “Kosova është shtet i përkohshëm”, dhe që kjo do të mund të përdorej si arsye për të ndaluar certifikimin e këtij subjekti politik gjithashtu
‘’Nuk mundet një anëtar i KQZ-së të nxjerrë një video apo një audio dhe ta përdorë si dëshmi për t’i hequr të drejtën e certifikimit. Nëse do të ishte ashtu do të duhej lirisht që edhe Lëvizjen Vetëvendosje mos ta certifikojmë për shkak se anëtaret e kryesisë së këtij subjekti politik kanë thënë se ‘’Kosova është shtet i përkohshëm’’ dhe mbi këtë bazë duhej tu ndalohej edhe atyre’’, përfundoi Krasniqi.
Muhaxhiri për mos certifikimin e Listës Serbe: Ide e rrezikshme populiste
Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka vlerësuar se kjo është një ide e rrezikshme dhe populiste, që mund të ketë pasoja të mëdha për kryeministrin Kurti dhe për Qeverinë në përgjithësi.
Sipas tij, nëse ky vendim shpallet i paligjshëm, do të kishte pasoja të rënda politike dhe morale, pasi mund të krijonte një precedent të rrezikshëm të ndërhyrjes politike në fushën e drejtësisë.
‘’Kjo është një ide e rrezikshme populiste me të cilën kryeministri Kurti ka rrezikuar shumë, sepse nëse dëshmohet si jo ligjore, atëherë do të ketë pasoja të mëdha politike e morale për kryeministrin Kurti dhe për qeverinë në përgjithësi’’, tha Muhaxhiri.
Sipas tij, nëse ky vendim shpallet i paligjshëm, do të kishte pasoja të rënda politike dhe morale, pasi mund të krijonte një precedent të rrezikshëm të ndërhyrjes politike në fushën e drejtësisë.
Muhaxhiri theksoi se kjo përpjekje mund të dëmtonte imazhin e Kosovës dhe do të ishte një zhvillim shumë negativ nëse ky tentim do të konsiderohej i paligjshëm dhe i pabazuar në Kushtetutë, duke shkaktuar shqetësim edhe tek aleatët ndërkombëtarë.
‘’Në përgjithësi kështu tentohet që të krijohet një precedent shumë i rrezikshëm i ndërhyrjes së politikës në fushën e drejtësisë, pra absolutisht është një rrezikim i madh, pasi dhe aleatët tanë kanë shprehur brengosje mirëpo edhe parimisht do të ishte imazh tejet negative nëse ky tentim do të dëshmohej si jo ligjor e jo kushtetues’’, përfundoi Muhaxhiri.