Sipas njohësve të Integrimeve Evropiane në vend, rezultatet e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian nuk janë të pafavorshme për Kosovën.
Sipas rezultateve, zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian kanë treguar humbje të ndjeshme për dy grupet më të mëdha, Partinë Popullore Evropiane dhe Social-Demokratët. Megjithatë, ato mbesin grupet më të mëdha.
Të Gjelbrit dhe Liberalët kanë shënuar rritje, sikurse edhe nacionalistët e krahut të djathtë e grupet popullsitë.
Por si do të ndikojnë këto zgjedhje në proceset integruese të Kosovës.
Njohësit e Integrimeve Evropiane thonë se, Liberalet dhe të Gjelbërit tash e sa vite janë avokuesit më të mëdhenj pro Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.
Njohësi i Integrimeve Evropiane nga KDI, Artan Murati, ka thënë se lajmi i mirë është që nuk do të përballemi me partitë anti-BE, të cilat janë rrjedhimisht edhe anti-zgjerim.
Sipas tij liberalet dhe të gjelbërit tash e sa vite janë avokuesit më të mëdhenj pro Kosovës.
“Lajmi i mire është që nuk do të përballemi me partitë anti-BE, të cilat janë rrjedhimisht edhe anti-zgjerim. Kosova, në skenarin me të keq, do të vazhdojë të përballet me një politike konfuze të BE-së nga subjektet tradicionaliste të saj. Megjithatë ka shpresë për më mirë. Liberalet dhe të gjelbërit tash e sa vite janë avokuesit më të mëdhenj pro Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi. Deputetet e ALDE dhe të Gjelbërve kanë qenë shpeshherë zëri i munguar i Ballkanit Perëndimor në Parlament Evropian”, ka thënë Murati.
Sipas tij, me një Komision Evropian më me shumë liberal, BE do të ece me shpejt, sikurse edhe vete procesi integrues i të gjithë Ballkanit
“Me një Komision Evropian më me shumë liberal, BE do të ece me shpejt, sikurse edhe vete procesi integrues i të gjithë Ballkanit. BE-ja nuk ka me arsyetime pse duhet ta ngadalësoj këtë proces. Hiq disa shtete anëtare (Hungari, Poloni) dhe Brexit-in që po përfundon, tani duhet të ketë koncentrim më të madh në konkretizimin e politikave karshi Ballkanit në përgjithësi, e Kosovës në veçanti. Një dritë në fund të tunelit”, ka thënë Murati.
Ndërsa, analisti, Ramush Tahiri ka thënë për lajmi.net se rezultatet nuk janë të pafavorshme për Kosovën.
“Sa i pashë rezultatet kanë fituar Partitë e Gjelbërta edhe Liberale, ekrstremistet janë rritë pak. Kanë humbur partitë Popullore dhe social-Demokrate, ato kanë humbur shumë por nuk shohë politika radikale. Rezultatet nuk janë të pafavorshme për Kosovën. Por edhe nuk shoh, që varet shumë prej partive politikë atje qysh fitojnë edhe a behën pro ose kundër. Kosova ka atë pjesë të Evropës edhe mendojë që tash pas këtyre zgjedhjeve do të ngritët integrimi i këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimorë që kanë mbetur, sepse Evropa nuk e sheh jashtë Ballkanin Perëndimorë. Nuk shohë asgjë te keqe për Kosovën, përkundrazi. Edhe të Gjelbërtit edhe Liberalët gjithmonë janë por Kosovës. Radikalët kanë fituar në vendet të ndryshme, psh si në Hungari, por jo në ato 7 grupet që janë brenda Parlamentit Evropian”, ka thënë Tahiri.
Kosova mbetet vendi i fundit i rajonit në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
Kosova deri më tani ka të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila është marrëveshja e parë dhe e vetme kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.
Lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, është potencuar vazhdimisht nga ekspertët dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian se autoritetet e Kosovës, nuk kanë arritur të bëjnë një planifikim të mirëfilltë për shfrytëzimin e fondeve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Gjithashtu, në kuadër të agjendës evropiane, nga 22 reformat kyçe që dalin nga MSA-ja dhe që ishin paraparë të përfundojnë në vitin 2017, deri më tani thuhet se janë adresuar vetëm pesë prej tyre.
Strategjia e re e zgjerimit të BE-së ka parashikuar afate kohore vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, sipas së cilës, këto dy vende mund të anëtarësohen në BE diku në vitin 2025. Përderisa vendet tjera si Shqipëria, Maqedonia, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë përfshirë në Strategjinë e Zgjerimit, por pa ndonjë afat kohor për anëtarësim.