A ishte në dijeni Lumezi se kishte hetime para se të prangosej ‘Grupi i Currit’?

09:56 | 23 May 2019

Aleksandër Lumezi thotë se nuk e dinte që para se të prangoseshin kishte hetim ndaj “Grupit të Currit”.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, arrestimin e grupit të dyshuar për fajde, detyrim e mashtrim thotë se e ka mësuar në të njëjtën kohë me mediat.

Edhe pse Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se hetimi ndaj këtij grupi është duke u zhvilluar qe një kohë të gjatë, Lumezi pohon se nuk ka qenë fare në dijeni as për hetimin ku është i përfshirë Ismet Osmani-Curri e as për aksionin për arrestimin e grupit të dyshuar, raporton “Koha Ditore”.

Një burim brenda organeve të hetuesisë i ka thënë gazetës se ky rast është mbajtur qëllimshëm fshehur nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të frikës që mund të rrjedhin informata.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka pranuar se nuk ka qenë i njoftuar për këtë rast. Fillimisht kur është pyetur nga gazeta, Lumezi ka thënë se vetë ai e ka iniciuar hetimin.

“Unë e di për këtë hetim prej ditës së parë…mandej rasti është transferuar në Prokurorinë e Ferizajt”, ka thënë ai shkurt.
Kur gazeta ia ka sqaruar se nuk është rasti i njëjtë dhe e ka pyetur nëse e ka ditur se “Grupi i Currit” do të arrestohej, ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni.

“Nuk kam qenë i njoftuar”, ka thënë ai.

Kjo pasi që, sipas tij, në të tilla raste prokurori dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore nuk e kanë obligim që ta njoftojnë kryeprokurorin e Shtetit.

Megjithatë Lumezi ka qenë i njoftuar me rastin e Rrahim Hashimit dhe hetimit kundër tij në Ferizaj. Në shumë raste të hetimeve Lumezi është deklaruar në media edhe në kohën sa ato kanë qenë në fazën e mbledhjes së informatave.

Komento: