A iu shlyen borxhe milionëshe ambalazhuesve të ujit, çka deklaruan Aliu e Hafizi për raportimet?

14:33 | 30 Prill 2024
a-iu-shlyen-borxhe-milioneshe-ambalazhuesve-te-ujit,-cka-deklaruan-aliu-e-hafizi-per-raportimet?

Tash e disa ditë, mediat në vend po raprtojnë se Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësuesi i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi, ua kanë shlyer borxhin në mënyra të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit dhe si rrjedhojë kanë dëmtuar buxhetin e shtetit miliona euro. Cila ka qenë përgjigja e Aliut dhe Hafizit për këto akuza? Për cilat kompani bëhet fjalë? Sa kanë qenë borxhet? Gazeta Express ju sjell një përmbledhje

Rreth shtatë vjet pas vendimit të bujshëm të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, borxhet e kompanive që merren me ambalazhimin e ujit janë kthyer sërish në qendër të vëmendjes.

Mediat në vend tash e disa ditë po raportojnë se këtyre kompanive u janë shlyer borxhet në mënyra të kundërligjshme, duke lidhur vendimet me emrat e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut dhe zëvendësuesit të Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi.

Siç ka raportuar Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit, nga 27 sa janë në total, buxheti i shtetit është dëmtuar për 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove.

Në raportime përmenden kompanitë “Compat Group”, “Fluidi”, “Silca Group- Ujë Miros”, “Getrenike”, “Adi Group”, “Vevo Group”.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ 06/2021 për Strukturën e Pagesave të Ujit. kompanitë janë të detyruara të kenë të vendosura ujëmatës dhe “janë të obliguar që të mbajnë evidencë për sasinë e ujit të shfrytëzuar” dhe “sasinë e ujit të shkarkuar”

Përmes këtyre evidencave ata më pastaj raportojnë në ministri dhe bëjnë pagesat për litër për sekondë, varësisht se si u është vendosur me lejen e fituar.

Nëse nuk e bëjnë, atëherë vetë ministria, e rregullon këtë pjesë, sipas nenit 9 të Udhëzimit Administrativ.

“Nëse detyruesi nuk mban evidencë dhe nuk e bënë raportimin, ose bënë raportimin me dhëna të dyshimta dhe të pasakta, deri me 15 janar për vitin paraprak, Ministria në afat prej tridhjetë (30) ditësh i lëshon vendimin dhe faturën duke llogaritur në bazë të të dhënave nga dokumentacioni teknikoinvestiv për sasinë maksimale” të shfrytëzimit.

Duke bërë këtë përllogaritje, raportohet se kompania “Compact Group”, i ka pasur borxh shtetit 3 milionë e 616 mijë e 812 euro e 2 centë dhe se ky borxh i është shlyer për vetëm 41 mijë e 443 euro.

Kompania “Fludi” raportohet se ka pasur borxh në vlerë 3 milionë e 555 mijë euro. Sipas raportimeve, Aliu e Hafizi, përmes një vendimi financiar të kundërligjshëm, kanë caktuar se kompania për plotë 13 vjet ka borxh vetëm 13 mijë euro.

Për kompaninë tjetër “Silca Group-Ujë Miros” raportohet se borxhi ishte 2 milionë e 255 mijë e 40 euro, dhe se i është shlyer duke paguar 491 mijë e 579 euro e 86 centë.

Për disa prej këtyre pagesave, mediumi raporton se s’ka as fatura.

Tutje përmendet borxhi i kompanisë “Getrinike”, ku thuhet se Grupi i Punues i Ministrisë kishte përllogaritur se kjo kompani kishte borxh prej 1 milion e 173 mijë e 398 euro, por se në njoftimin për borxh që i ishte dërguar pastaj kompanisë ishte thënë se ka borxh vetëm 411 mijë e 180 euro e 80 centë.

Më pas dhe ky borxh i zbritet, ku thuhet se mbetet me një borxh prej 180 mijë e 605 euro.

Situata e ngjashme raportohet të ketë ndodhur dhe me kompaninë “Adi Group”.

Sic raporton mediumi, edhe këtu Grupi Punues tregon se kjo kompani ka borxhe ndaj shtetit 977 mijë e 832 euro. Por, Hafizi e njofton kompaninë se borxhin që duhet ta paguajë është vetëm 216 mijë mijë euro. Dhe si përfundim, kësaj kompanie vendoset t’i shlyhet borxhi dhe t’i mundësohet vazhdimi i punës nëse paguan 48 mijë e 783 euro.

Rast tjetër është ai i kompanisë “Vevo Group” që sipas Grupit Punues kishte borxhe prej 3 milionë e 129 mijë e 62 euro. Sipas raportimeve, edhe kësaj kompanie i ishte mundësuar vazhdimi i punës pa e shlyer fare borxhin duke shkaktuar edhe në këtë rast sërish miliona humbje për shtetin e Kosovës.

Për këto vendime, thuhet se ishte njoftuar edhe Kryeministri Albin Kurti, më 12 dhjetor të vitit 2022.

“Zotëri Kryeministër, duke ju kërkuar shumë falje në një situatë ku Kosova po ballafaqohet me agresorin serb, detyrohem të ju shkruaj për një çështje e cila vërtet kërkon Vëmendjen Tuaj” i ishte thënë në e-mailin që i ishte dërguar Kurtit nga një sinjalizues.

Siç raporton Albanian Post, sinjalizuesit që e kishte njoftuar Kurtin i kishte dalë problem në vendin e punës dhe vetëm dy ditë pasi kishte dërguar mesazhin te kryeministri, ishte dërguar në një komision disiplinor për t’ia ndërruar pozitën.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i ka quajtur shpifje këto raportime. Ai ka thënë se të gjitha këto akuza janë politike dhe se raportimet nuk qartësojnë nëse është i përfshirë në këto akuza.

“E para kjo nuk është akuzë, është shpifje. Se kur të akuzon duhet të ketë një bazë, një farë lloj lidhje logjike. Kur flasim për borxh, ata do të duhej të flasin një herë sasinë. Pra, thonë 90 milionë euro borxh apo si është ajo, si kanë ardhur tek ai 90 milionë euro. E dyta ku lidhet kjo me ministrin Liburn Aliu që ata dëshirojnë me thanë, në çka lidhet, si e paskam falur unë, kam pasur ndonjë vendim siç ka qenë përpara, vendim për falje apo diçka tjetër. A ka pasur ndonjë vendim të tillë ndonjëherë nga ana ime. A ka ndonjë marrëveshje me dikë, ku me kënd ajo marrëveshje, vetëm le të dalin ta thonë, krejt në rregull. Por të gjitha janë shpifje dhe nuk kuptoj cili është motivi mbrapa, mbase mund të jetë vetëm thjesht politikë, po mund të jetë edhe çka tjetër”, ka thënë Aliu.

Edhe Naser Hafizi i ka quajtur shpifje këto raportime. Ai ka ushtruar edhe padi ndaj gazetarit dhe mediumit që ka publikuar këto shkrime.

Ai ka thënë se nuk ka falje të borxheve në asnjë mënyrë.

“Padia që kam ushtruar sot, përmban mbi 250 faqe prova – materiale që demantojnë secilën nga shpifjet, fabrikimet e falsifikimet e dokumenteve dhe insinuatave të nivelit më të ulët të mundshëm. Për shkak të tendecave të ulta për denigrimin e personalitetit tim, për çdo shpifje e fyerje të radhës, nga kushdo që bënë në adresën time, do të ushtroj PADI pa hezitim, gjithnjë sipas Ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.

Unë kam besimin e plotë në drejtësinë e Republikës së Kosovës, e për hirë të së VËRTETËS, ftoj organet e drejtësisë, hetuesisë, prokurorisë dhe organet relevante që të hetojnë këtë çështje deri në detaje, në mënyrë të shpejtë, duke mos i dhënë hapësirë “gazetarëve” për të shpifur dhe për të krijuar huti në opinion, pa e kuptuar fare kompleksitetin e kësaj fushe”, ka shkruar Hafizi.

Komento: