A janë efektive dy doza të vaksinës Pfizer ose AstraZeneca kundër variantit Delta ?

22:54 | 23 July 2021

Dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech ose AstraZeneca janë efektive kundër variantit më të transmetueshëm të Covid-19, Delta, është bërë e ditur përmes një studimi.

Zyrtarët thonë se vaksinat janë shumë efektive kundër variantit Delta, tashmë variant mbizotërues thuajse në të gjithë botën, megjithëse studimi përsëriti se një dozë e vaksinave nuk është e mjaftueshme për mbrojtje të lartë.

Studimi, i publikuar në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, konfirmon gjetjet e Autoritetit të Shëndetit Publik në Angli, të publikuara në muajin maj, rreth efikasitetit të vaksinave Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Sipas studimit të ri, dy doza të vaksinës Pfizer janë 88 për qind efektive në parandalimin e variantit Delta, krahasuar me 93.7 për qind efektivitet kundër variantit Alfa. Dy doza të AstraZeneca-s, janë 67% efektive kundër variantit Delta dhe 74.5% efektive kundër variantit Alfa.

Të dhënat nga Izraeli kanë vlerësuar efektivitetin më të ulët të vaksinës Pfizer kundër Delta-s, megjithëse mbrojtja kundër simptomave të rënda mbetet e lartë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varianti Delta i koronavirusit, identifikuar për herë të parë në Indi, është më ngjitës se variantet e mëparshme.

Komento: