Çështja e taksës kundër Serbisë mbetet ende temë shumë e përfolur.
Një muaj e gjysmë pas vendosjes së taksës doganore 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, tregu kosovar vazhdon mbetet mjaftueshëm i furnizuar me produkte esenciale.
Aktualisht, në tregun kosovar mund të gjenden të gjitha mallrat, përfshirë edhe ato nga Serbia e Bosnja, edhe pse importi nga këto dy vende, sipas autoriteteve përgjegjëse në Prishtinë, tashmë është ndërprerë gati në tërësi.
Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, por edhe në Odën Ekonomike dhe organizatën “Konsumatori”, thonë se gjatë kësaj periudhe nuk është vërejtur mungesë e asnjë produkti bazë, por as produkteve tjera.
Megjithatë, vlerësimet e tyre dallojnë kur bëhet fjalë për arsyet për këtë stabilitet, marrë parasysh se Serbia, deri para 1 muaji e gjysmë, ishte eksportuesja më e madhe e mallrave në Kosovë.
Elhami Ismajli, zëdhënës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë se produktet nga Serbia dhe Bosnja, janë zëvendësuar menjëherë, pasi janë rritur shkëmbimet tregtare me vende të tjera dhe janë krijuar tregje të reja.
“Pas vendosjes së taksës, janë krijuar mundësi të reja për eksport dhe menjëherë janë zëvendësuar produktet, të cilat janë importuar nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Nga të dhënat statistikore shihet se pas vendosjes së taksës është rritur eksporti në drejtim të Gjermanisë, Italisë, Sllovenisë, Polonisë, Mbretëria e Bashkuar, Shqipërisë, Maqedonisë etj. Si tregje të reja janë identifikuar shtetet si: Libia, Islanda, Lituania, etj,” shpjegon Ismajli.
Duke mos mohuar ndikimin e stoqeve të bizneseve, edhe në Odën Ekonomike të Kosovës, stabilitetin e produkteve bazike në treg e lidhin me krijimin e tregjeve të reja.
I pari i këtij organi profesional, Berat Rukiqi, thekson se menjëherë pas vendimit për taksën, Oda Ekonomike u ka dalë në ndihmë bizneseve për të gjetur alternativa të furnizimit, sidomos për produktet esenciale.
“Normalisht, kompanitë kanë pasur edhe stoqe, por asnjë kompani nuk ka ndenjur duarkryq dhe të presë çfarë po ndodh me taksën. Shumica prej tyre janë përgatitur për një version më të gjatë të zbatimit të taksës, kështu që nuk e besoj që është vetëm për shkak të stoqeve,” thotë Rukiqi.
Por, ndryshe nga dy të parët, në organizatën “Konsumatori” këtë gjendje e lidhin më shumë me, siç thuhet, mbi-importin para vendosjes së taksës apo edhe me kontrabandën, sesa me blerjet nga tregjet e reja.
Kreu i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, hedh dyshime se biznese të caktuara kanë qenë të informuara për taksën, para vendosjes së saj dhe kanë bërë mbi-import.
“Momentalisht, nuk po vërejmë mungesë të ndonjë produkti nga lista esenciale e artikujve, ose nga lista e gjerë dhe kjo më bën edhe të dyshoj që mos informata ka rrjedhur para aplikimit të taksës dhe dikush ka arritur që në treg të fusë më shumë prodhime të importit sesa që ka nevojë tregu. Unë besoj më shumë në mbi-import dhe në kontrabandë. Nuk po shohim produkte të reja në dyqane, prandaj nuk mund të them që Qeveria dhe bizneset kanë gjetur tregje të reja,” vlerëson Kaçaniku.
Megjithëse i mbështet masat që Qeveria e Kosovës i ka marrë ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja, Kaçaniku insiston se ato nuk janë aplikuar për ta mbrojtur konsumatorin dhe kritikon Qeverinë për mungesë të një plani të qëndrueshëm – para vendimit për taksën.
“Për ta gjetur tregun e ri, na duhet goxha kohë, hulumtime, kontraktime, etj., këto janë procedura që kërkojnë me muaj të tërë angazhime, prandaj e dhashë si kritikë faktin se Qeveria e ka aplikuar vendimin mbi taksën, mirëpo nuk ka pasur plan rezervë: çka më tutje nëse tregu nuk do të ketë furnizime të mjaftueshme me artikuj esencialë”, thekson Kaçaniku.
Ai shton se për shkak të mungesës së planifikimeve me kohë, e pëson konsumatori, pasi çmimet janë ngritur edhe në produktet e importuara para vendosjes së taksës.
Por, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Elhmi Ismajli, ka indikacione për qëndrueshmëri afatgjate të furnizimit me produkte esenciale.
“Të dhënat statistikore tregojnë qartë se ka indikacione për një qëndrueshmëri afatgjate furnizimi me produktet esenciale dhe është e rëndësishme të theksohet se kompanitë vendore kane filluar depërtimin në tregjet që tradicionalisht nuk kanë qenë partnere tregtare të Kosovës, por që në një të ardhme ka potencial që ato të bëhen pjesë e konglomeratit të vendeve partnere tregtare të Kosovës”, shton Ismajli.
Përderisa shpreh besim në tregjet e reja, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, nuk mendon që mungesa e produkteve në treg, sidomos nga Serbia, do të ndikojë në qëndrueshmërinë e tregut kosovar.
“Tregu është fleksibil, nuk besoj që mungesa e produkteve nga Serbia ndikon në qëndrueshmërinë në treg”, shprehet Rukiqi.
Ndërkohë, në Doganën e Kosovës mohojnë se ka shtim të rasteve të kontrabandës. Zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ngritje të dukshme të kontrabandës pas aplikimit të taksës 100 për qind për produktet nga Serbia.
Në anën tjetër, autoritetet serbe kanë kumtuar se për periudhën kohore 21 nëntor – 30 dhjetor, Serbia ka humbje më shumë se 46 milionë euro, si pasojë e vendosjes së tarifës doganore nga autoritetet e Kosovës. Këto të dhëna, në emër të Qeverisë së Serbisë i ka kumtuar ministri i atjeshëm i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit, Rasim Lajiq. Sipas tij, tashmë ka rënë interesimi që të eksportohet në Kosovë, për shkak të tarifës së lartë.
Më 21 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë doganore 100 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, ndërsa nga 1 janari këtyre masave u nënshtrohen edhe brendet ndërkombëtare që prodhojnë në këto vende.
Para kësaj, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, çdo vit, Serbia ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë rreth 440 milionë euro, një pjesë e madhe e tyre, produkte nga lista e produkteve bazë.