Muaj më parë, Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 100% për produktet serbe.
Instituti GAP ka prezantuar analizën “Taksa 100%, a po e ndihmon ekonominë e Kosovës?” ku u tha se taksa nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendës dhe se Kosova duhet të kërkoj rinegocimin e marrëveshjes së CEFTA-s
Berat Thaçi, nga Instituti GAP, tha kjo taksë kur është hartuar nuk ka qenë diçka e menduar mirë pasi që nuk ka pas një analizë paraprake se cilat janë efektet e kësaj takse.
“GAP në 2 muaj e fundit ka analizuar efektet ekonomike të kësaj takse dhe disa nga efektet janë efektet në ndikimin e konsumit dhe tregjet e brendshme. Një mungesë e konsistencës është parë edhe tek lista e produkteve. Kjo taksë kur është hartuar nuk ka qenë diçka e menduar mirë pasi që nuk ka pas një analizë paraprake se cilat janë efektet e kësaj takse”, tha ai.
Thaçi shtoi se Kosova nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, pasi Serbia ka kërcënuar sigurinë kombëtare ku me rastin e themelimit të ushtrisë së Kosovës, Serbia e ka kërcënuar Kosovën me luftë.
“Kosova nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s, pasi Serbia ka kërcënuar sigurinë kombëtare ku me rastin e themelimit të ushtrisë së Kosovës, Serbia e ka kërcënuar Kosovën me luftë dhe këto janë arsyet pse nuk ka rrezik që Serbia ta padis Kosovën në arbitrazh. Taksa nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor”, tha Thaçi.
Në rekomandimin e Institutit GAP për Qeverinë e Kosovës, ata thanë se Kosova duhet të kërkoj rinegocimin e marrëveshjes së CEFTA-s së bashku me vendet e tjera anëtare pasi e vetme e ka të vështirë.“Nuk mund të tërhiqemi nga CEFTA si shtet pasi që ajo është pjesë e MSA-së. Kosova duhet të kërkoj rinegocimin e marrëveshjes së CEFTA-s së bashku me vendet e tjera anëtare pasi e vetme e ka të vështirë”, shtoi Thaçi.
Ndërsa, Blend Hyseni nga ky Institut, tha se 5 muaj pas vendosjes së taksës importet nga Serbia kanë shënuar rënie prej 88 %, raporton EO.“Disa prej arsyeve të rritjes së çmimeve vendore është mungesa e lëndës së parë. 5 muaj pas vendosjes së taksës importet nga Serbia kanë shënuar rënie prej 88 %. Importi i përgjithshëm ka vazhduar të rritet. Përfituesit kryesor nga vendosja e taksës janë: Sllovenia, Izraeli, Shqipëria dhe Turqia”, tha ai.
“…Eksporti ka vazhduar të rritet përkundër taksës, përkundër barrierave jo tarifore një intensifikim i këtyre barrierave nuk është vërejtur nga hyrja në fuqi e taksës”, shtoi Hyseni.