A ka presion Haradinaj për heqjen e taksës?

18:12 | 22 Shkurt 2019

Çështja e taksës kundër Serbisë vazhdon të jetë shumë e diskutuar.

Edhe nga Prizreni, i pari i ekzekutivit u shpreh i bindur se vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, u ka ndihmuar prodhuesve vendor që të rrisin qarkullimin dhe shitjen.

Falënderues ndaj kryeministrit Haradinaj u shprehën edhe pronarë të kompanisë “Liri”, në Prizren, ku sipas tyre pas vendosjes së taksës, është rritur shitja dhe kanë shtuar numrin e punëtorëve.

I pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të përkrahin produktet e Kosovës.

“Është brendi i yni, është i Kosovës, janë produkte të Kosovës dhe çfarë është e rëndësishme pra rritja e prodhimit flet për rritjen e vendit të punës, e rrit edhe buxhetin e Kosovës, rritja e qarkullimit, rritja e të gjithë investimeve, unë ju falënderoj shumë për pritje. Iu them njerëzve të Kosovës në veçanti, nëse ky produkt i joni në Kosovë, vjen në një vlerë të caktuar, 20 cent apo 30 cent, besoni që është shumë më i mirë se çdo produkt tjetër në botë për këtë çmim, sepse nuk mundet askush tjetër mallin e njëjtë me prodhu edhe me pru këtu me çmim të njëjtë që është këtu”, tha ai.

I pyetur se a ka presion për heqjen e taksës, të vendosur tre muaj më parë, ai ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk kemi presion, kemi mendime të ndryshme. Ky është një shembull shumë i vërtetë nuk po e imagjinojmë, prodhimi është rrit qind për qind këtu, pra 100 për qind kemi rritje të prodhimit, pse a jo a ka më mirë se kjo”, ka thënë ai.

Komento: