A ka rrezik për trazira civile në veri? Deklarata e ambasadorit amerikan mbështetet nga politikanët dhe njohësit e sigurisë

08:08 | 12 December 2024
a-ka-rrezik-per-trazira-civile-ne-veri?-deklarata-e-ambasadorit-amerikan-mbeshtetet-nga-politikanet-dhe-njohesit-e-sigurise

“Në këshillat tona për qytetarët amerikanë, më gjerësisht, u themi qytetarëve amerikanë që të rishikojnë udhëtimin në Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan apo Zubin Potok, për shkak të mundësisë së trazirave civile. Nëse personeli i ambasadës dëshiron të shkojë në veri, ata duhet të kenë lejen time. Ne shkojmë atje. Jemi atje. Punojmë me njerëz. Është e rëndësishme për ne të kuptojmë zonën. Por ne mendojmë se ka një rrezik më të madh në veri të Kosovës për trazira civile sesa pjesët e tjera të vendit”. Kështu ka deklaruar të martën që lamë pas në mbrëmje ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier në emisionin “Context” të ATV-së.

Se ekziston një rrezik i të tillë, e thonë edhe zyrtarët e lartë të partive politike në vend dhe njohësit e sigurisë.

Deputetja e VV-së: Kurrë nuk ka pasur prezencë më të madhe të shtetit në Veri se sa që ka tash

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mirlinda Tishukaj, ka mbështetur deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, duke e vlerësuar atë si të njëjtë me qëndrimet e Kryeministrit Albin Kurti të shprehura disa muaj më parë.

‘’Deklarata e Hovenier është në vijë të njejtë me deklaratat e Kryeministrit Kurti që i ka thënë para dy muje’’, thotë ajo për FrontOnline.

Ajo theksoi se opozita kishte menduar se Kurti synonte të kthente fokusin nga veriu, por tani këto deklarata janë në përputhje të plotë me qëndrimin e Kryeministrit.

‘’Opozita mendonte se Kurti e ka qëllimin me e kthy fokusin nga Veriu dhe këto deklarata janë në vijë të njejtë me kryeministrin’’, shprehet ajo.

Sipas Tishukajt, situata në terren ka ndryshuar ndjeshëm, dhe sot Kosova ka një prezencë më të fortë të shtetësisë në veri se kurrë më parë

‘’Situata ka ndryshuar në terren dhe kurrë më shumë nuk ka pasur prezencë të shtetësisë në Veri’’, ka pohuar deputetja e VV-së për FrontOnline.

 

Paralajmëron deputeti i PDK-së: Në Veri mund të ndodhin incidente të reja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rashit Qalaj, për FrontOnline ka theksuar se megjithëse situata në veri të Kosovës duket e qetë në sipërfaqe, tensionet janë të larta dhe mund të çojnë në destabilizim.

‘’ Është e vertetë se në gjitha intervistat që kam dhënë, kam thënë se situata në Veri të vendit në sipërfaqe duket e qetë, por nëse e shohim pak më thellë, ajo është shumë e tensionuar’’, tha ai për FrontOnline.

Qalaj theksoi se shpërthimet e fundit në Stacionin Policor dhe ato në Ibër-Lepenc janë dëshmi e pasigurisë që mbizotëron në këtë pjesë të vendit. Ai theksoi se këto incidente, si dhe mundësia e përshkallëzimit të tyre, mund të shkaktojnë pasoja të rënda dhe të rrezikojnë stabilitetin e përgjithshëm në rajon.

‘’Nëse i shihni shpërthimet ditëve të fundit në Stacionin Policor dhe ajo në Ibër Lepenc dhe fare lehtë mund të ndodhin incidente të reja, të cilat do të bënin një destabilzim të situatës’’, u shpreh ai për FrontOnline.

 

Elezi: Situata në Veri mbetët e brishtë, Hovenier veç se dha paralajmërime

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi,  për FrontOnline, ka thënë për deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se ajo është në përputhje me shqetësimet e tij për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

‘’Deklarata e ambasadorit amerikan është në sinkron me ne, sepse situata atje është e vështirë, është e brisht dhe i ekpozohet problemeve.’’ thotë ai.

Elezi e vlerëson situatën në Veri si të brishtë dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve, duke pohuar se ambasadori amerikan ka marrë informacione nga burime të tjera dhe ka dërguar mesazhe për të paralajmëruar zhvillimet që mund të pasojnë.

‘’ Kosova, saktësisht ajo zonë është ekspozuar për rreziqe, por me siguri ambasadori amerikan, ka marrë informacione nga kanalet e tjera dhe ka dashur që të sjellë sinjale dhe mesazhe, për zhvillimet që mund të ndodhin’’, u shpreh Elezi.

Sipas Elezit, këto përpjekje janë të domosdoshme për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të nxitur autoritetet lokale që të ndërmarrin masat e nevojshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

‘’Ato janë përpjekje për të ndaluar zhvillime në aspektin e sigurisë dhe janë kërkesa dhe detyra që iu bëhen institucioneve lokale për të marr hapat e nevojshëm. Ne pajtohemi me deklaratën e ambasadorin amerikan”, potencoj Elezi.

Komento: