A kishte zënkë në mes të Donnarummas dhe Neymarit? Sqarojnë përfaqësuesit e portierit

19:34 | 10 Mars 2022

Edhe përfaqësuesit e Donnarummas mohuan zënkën me Neymarin.

Përkundër rritjes së raportimeve që thonë Gianluigi Donnarumma dhe Neymar ishin pranë përplasjes fizike pas eliminimit të Paris Saint-Germainit nga Real Madirid në Ligën e Kampionëve, dy protagonistët kanë mohuar diçka të tillë.

Marca në radhë të parë raportoi se dy yjet e PSG-së e kanë akuzuar njëri-tjetrin në zhveshtore për eliminimin, ndërsa më pas ESPN njoftoi se dy futbollistët ishin pranë përplasjes fizike në Santiago Bernabeu.

Megjithatë, sipas Sky Sport Italia, përfaqësuesit e portierit italian kanë përgënjeshtruar të ketë pasur një zënkë mes tij dhe sulmuesit brazilian.

Një gabim i Donnarummas shkaktoi rikthimin e Real Madridit në përballjen e të mërkurës mbrëma. Los Blancos fillimisht e barazuan rezultatin falë këtij gabimi përmes Karim Benzemas, ndërsa sulmuesi francez i shënoi edhe dy gola të tjerë në vazhdim për t’i dërguar Mbretërit në çerekfinale.

Gardiani italian mori kritika të shumta nga mediat franceze dhe italiane për gabimin e pafalshëm, aq sa L’Equipe e quajti si “varrmihësi” i PSG-së dhe e vlerësoi me notë shumë të ulët.

Komento: