A mund të hyjë ekonomia e Kosovës në recesion?

17:22 | 28 May 2023

Ekonomia e Kosovës mund të hyjë në recesion si pasojë e inflacionit të lartë që ka goditur vendin dhe rrjedhimisht ka tkurrur aktivitetin ekonomik.

Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna.

Recesioni përshkruhet si tkurrje e ciklit të biznesit, dhe për pasojë ka rënie të përgjithshme të aktivitetit ekonomik.

Rritja ekonomike reale në Kosovë, sipas Bektashit, nuk është më shumë se 2 deri në 3 për qind, dhe kjo rritje, shton ai, “nuk mjafton për t’i ikur recesionit”.

“Problemi është se tani inflacioni duke mos u stabilizuar me indeksimin e pagave, qoftë në sektorin publik apo privat, po shkakton një kërkesë më të ulët që mund të shpie në recesion”, thotë Bektashi.

Kosova, sipas të dhënave të dhënave të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vitin 2022 ka shënuar rritje ekonomike 3.5 për qind dhe po aq është parashikuar të jetë gjatë këtij viti.

Gjermania në recesion ekonomik

Gjermania gjatë kësaj jave ka shpallur recesion në ekonomi si pasojë e inflacionit.

Inflacioni në Gjermani ka prekur shifrën 7.2 për qind në prill.

Ekonomia gjermane, sipas Zyrës së Statistikave, është tkurrur për 0.3 për qind në periudhën janar-mars dhe ka pasur një tkurrje prej 0.5 për qind në tre muajt e fundit të vitit të kaluar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kishte thënë se nëse tregu evropian hyn në recesion, ai automatikisht reflekton edhe në Kosovë.

Tani kur ekonomia e Gjermanisë është futur në recesion, Rafuna thotë se Kosova duhet të tregohet shumë e kujdesshme.

“Në momentin që një vend evropian ka shënuar recesion, historia na ka treguar se ai reflekton edhe në Kosovë. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe duhet të përcjellim me kujdes trendin që të kalohet më lehtë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Rafuna nuk dëshiron të komentojë se çfarë masash duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës për t’u përballuar më lehtë, nëse vendi futet në recesion.

Por, profesori i ekonomisë Mejdi Bektashi, thotë se Qeveria duhet të udhëheqë një politikë me liberale sa i përket investimeve dhe rritjes së nivelit të pagave, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Ai thotë se inflacioni i lartë ka goditur qytetarët, duke ulur fuqinë blerëse.

Inflacioni, 6.3 për qind

Në Kosovë, në muajin prill, sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni ka qenë për 6.3 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Rritja e çmimeve vërehet tek produktet ushqimore, lëndët djegëse, transport e të tjera.

Ndërsa norma mesatare e inflacionit në vitin 2022 ka qenë gati 12 për qind.

Me inflacion të lartë, Kosova është duke u përballur nga fundi i vitit 2021.

Lidhur me perspektivën e inflacionit në Kosovë, Banka Qendrore e Kosovës parashikon që inflacioni në vitin 2023 të ngadalësohet në 5.4 për qind.

Rritjes së inflacionit gjetkë në botë i kanë kontribuar në masë të madhe pandemia e koronaviursit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

Në zvogëlimin e ofertës së parave në tregun e Kosovës, sipas profesor Bektashit, ndikon niveli i ulët i pagave në Kosovë në krahasim me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne ende që dy vjet nuk e kemi caktuar pagën minimale”, thotë ai.

Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor të vitit të kaluar, ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Ky projektligj nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave (Eurostat), Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë.

Paga mesatare në Kosovë në vitin 2021 ka qenë 484 euro.
“Ky nivel i pagave shkakton uljen e aftësisë blerëse të qytetarëve që shkakton recesion në ekonominë kombëtare”, thotë Bektashi.

Kur mund të ketë recesion?

Bektashi thotë se në periudhën tani kur pritet ardhja e diasporës kosovare nuk pritet të ketë recesion, pasi që ka një ngritje të sasisë së parave në ekonomi.

Por, pas shkuarjes së diasporës në fund të muajve të verës, mund të paraqitet.

“Mosinvestimi në rrugë, ruajtja e buxhetit të shtetit duke i mbajtur paratë e ngrira, duke mos i investuar, mund të shkaktojë mungesë të parave që do të shprehet në sektorin e ndërtimtarisë dhe tregtisë”, thotë ai.

Sektori i ndërtimit dhe ai i tregtisë janë dy nga sektorët me aktivitetin më të madh ekonomik në Kosovë.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm vitin e kaluar, remitencat kanë kapur vlerën e mbi 1.2 miliard eurove.

Komento: