A nisi lufta? Raportohet për bombardime në Ukrainë

10:57 | 17 February 2022

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka regjistruar “incidente të shumta granatimesh përgjatë vijës së kontaktit në Ukrainën Lindore” në orët e para të së enjtes, raporton Reuters duke cituar një burim diplomatik.

Separatistët e mbështetur nga Rusia në rajon kanë akuzuar Ukrainën se ka hapur zjarr katër herë në 24 orët e fundit. Burimi i bombardimeve dhe serioziteti i incidenteve mbeten të paqarta, shkruan The Guardian.

Granatimet kanë ndodhur shumë herë gjatë tetë viteve të fundit të konfliktit, por raportimet e fundit vetëm sa i rrisin tensionet.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk po shohin prova se Rusia po i tërheq trupat e saj nga kufiri me Ukrainën, pavarësisht pretendimeve ruse.

“Fatkeqësisht, ka një ndryshim midis asaj që thotë Rusia dhe asaj që bën. Dhe ajo që ne po shohim nuk është një tërheqje kuptimplotë”, tha Blinken në “Good Morning America” të ABC.

“Përkundrazi, ne vazhdojmë të shohim forca, veçanërisht forcat që do të ishin në pararojë të çdo agresioni të rinovuar kundër Ukrainës, duke vazhduar të jenë në kufi, të grumbullohen në kufi”, tha ai.

Blinken përsëriti se SHBA-ja beson se Rusia mund të pushtojë Ukrainën fqinje në çdo moment, përfshirë këtë javë.

Komento: