A po dështon koalicioni VV-LDK?

18:38 | 05 Dhjetor 2019

Mosdakordimi për ndarjen e ministrive po e zvarrit edhe më shumë marrëveshjen VV-LDK.

Gjatë ditës së sotme nuk ka pasur ndonjë takim në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të arritur një marrëveshje rreth koalicionit qeverisës.

Pavarësisht kësaj analistët politik nuk shohin ndonjë mundësi që këto bisedime të dështojnë, madje thotë se një koalicion mes këtyre dy partive është e vetmja alternativë.

Të dy partitë, gjatë ditës së hënë kanë dështuar të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës, pasi që nuk kanë arritur të dakordohen për ndarjen e posteve.

Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që të marrë kryetarin e Kuvendit, presidentin dhe pesë ministri, por që kjo nuk po pranohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjuca, gjatë një emisioni televiziv ka deklaruar se nëse LDK insiston se duhet të ketë presidentin, kryeparlamentarin dhe ndarjen e ministrive 50-50, atëherë marrëveshja është e paarritshme. Ai kishte deklaruar se kryeministrin e zgjedh populli, por jo edhe presidentin.

E pas kësaj deklarate, ka pasur reagime të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku përmes një komunikate për media kishin thënë se janë të përkushtuar për të respektuar dhe për të zbatuar vullnetin e qytetarëve.

“Ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, thuhet në komunikatë.

Përkundër që nuk ka pasur takime në mes të dy partive politike, analistët politikë vlerësojnë se ndarja e ministrive nuk është pengesë për arritjen e një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Politologu Ramush Tahiri, për KosovaPress thotë se nuk beson që koalicioni në mes LVV-së dhe LDK-së do të dështojë sa i përket ndarjeve të ministrive.

Ai thotë se kërkesa e LDK-së sa i përket ministrive, postit të kryetarit të Kuvendit dhe presidentit është normale, por që thotë se Kushtetuta dhe ligjet e kanë paraparë që partia e parë fituese e zgjedhjeve e ka kryetarin e Kuvendit.

“LDK përveç posteve ministrore 5 me 5, kërkon edhe pozitën e presidentit pas një viti e gjysmë dhe kërkon edhe postin e kryeparlamentarit. Kjo është normale për një parti politike e cila dëshiron ta forcojë pozicionin e vet në tavolinë të bisedimeve, ndoshta edhe më shumë sesa që ka marrë vota. Mirëpo, gjithashtu ligjet dhe Kushtetuta e kanë paraparë që partia e parë e ka kryetarin e Kuvendit dhe një nënkryetar, partia e dytë e ka një nënkryetar, partia e tretë e ka një nënkryetar dhe dy partitë, një e minoriteteve tjera, një minoriteti serb. Kjo formulë dhe kjo skemë nuk mundet me vota ose me marrëveshje të ndryshohet”, thotë ai.

Sa i përket kërkesës së LDK-së që të ketë postin e presidentit, Tahiri thotë se nga aspekti partiak është legjitime, por nga aspekti kushtetues dhe ligjor është e jashtëligjshme.

“Është e jashtëligjshme çështja e presidentit që po diskutohet, por edhe çështja e kujt i takon kryeparlamentari dhe jashtë kushtetutës. Ndarja e pushtetit tash bëhet vetëm për Kuvend, është e përcaktuar dhe për qeverinë, zgjedhjet janë mbajtur vetëm për këto forma, jo për të tjerat. Nga segmenti partiak është legjitime që LDK dëshiron me marrë më shumë, edhe pse nuk është partia e parë dëshiron, ndoshta me u afruar dhe me dal partia e parë. Por, nuk ka ndonjë garancë që kjo marrëveshje politike të jetë e qëndrueshme, sepse ne kemi pas më herët një marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së për zgjedhjen e Thaçit, mirëpo në momentin që PDK e ka votuar mocionin e mosbesimit për qeverinë e Isa Mustafës qeveria ka ra, por presidenti ka mbet. Do të thotë marrëveshja nuk ka obligime ligjore dhe në këtë bazë insistimi i LDK-së nuk më duket shumë politik, do të thotë një interes i ngushtë partiak”, thotë ai.

Kurse, analisti politik Rasim Alija, për KosovaPress, thotë se përplasja e të dy subjekteve për ndarjen e posteve është normale, pasi sipas tij të dy subjektet e dinë peshën e ministrive të caktuara brenda qeverisë.

Ai thotë se nuk beson se koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së do të dështojë për shkak të ndarjes së ministrive apo çështjes së postit të presidentit.

Alija thotë se të dy partitë politike duhet të merren vesh edhe sa i përket postit të presidentit dhe të mos mbetet që të diskutohet, pasi të përfundojë mandati i presidentit aktual.

“E pamë që jo gjithçka është dakorduar gjatë atyre takimeve të grupeve punuese, mirëpo edhe takimet e liderëve. Siç duket përplasjet janë tek aspekti i ndarjes së resorëve të caktuar, kjo është krejt normale duke pasur parasysh se të dyja subjektet politike edhe LVV, edhe LDK e dinë peshën e resorëve të caktuar brenda qeverisë, ka ministri që ka peshë më të madhe si bashkëqeverisje, ka resor tjetër që ka peshë më të vogël dhe siç duket këtu është problemi. Mirëpo, pa përjashtuar edhe dakordimin ose mosmarrëveshjet lidhur me figurën e presidentit, e cila me gjasë duhet të arrihet dhe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes, sepse kjo i hap rrugë pastaj edhe stabilitetit të vet koalicionit pas një viti e gjysmë kur është koha që i përfundon mandati presidentit aktual”, thotë ai.

Po ashtu, Alija thotë se të dy partitë politike e dinë se alternativa e vetme e tyre është arritja e koalicionit, pasi sipas tij, nuk kanë ndonjë alternativë të dytë.

“Është normale sepse vet të qenit dhe të garuarit në zgjedhje dhe fitimi i votave bëhet që përmes plan programe të subjekteve politike dhe më pas me ndarjen e resorëve të caktuar t’i shtyjnë përpara ato politika që iu janë proklamuar qytetarëve dhe i kanë fituar votat. Kemi këtu parasysh Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur strumbullar të fushatës së saj luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e kjo i bie e gjithë puna t’i shkojë në Ministrinë e Drejtësisë dhe rrjedhimisht edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pra, këtu kemi edhe ndeshjet të vet programeve politike, është krejt normale në kuadrin ku jemi që të kenë mosmarrëveshje të dy subjektet politike rreth ndarjes së resorëve. Ajo çka nuk është normale është qasja e tyre karshi opinionit dhe elektoratit, një herë kemi pas deklarata që gjithçka është gati dhe në masën e 100 për qind që janë marrë vesh, por e kemi pa tash që jo gjithçka ësh të marrë vesh dhe jo gjithçka ka shkuar në 100 për qind të dakordimit”, thotë ai.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetor më 27 nëntor, ku Lëvizja Vetëvendosje ka dal partia e parë, e pasuar nga LDK si partia e dytë dhe PDK si partia e tretë.

Komento: