A po dështon mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore?

09:10 | 25 April 2019

Me 19 maj pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

Katër kandidatët e subjektit politik, Lista Serbe, që pritet të garojnë për kryetarë të komunave veriore të Kosovës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit, nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Një zhvillim i tillë besohet se mund të implikojë edhe në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 19 majit në katër komunat veriore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht po funksionon pa dy anëtarët e koalicionit qeverisës i njohur me shkurtesën PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate). Por, ky organ ka shumicën e mjaftueshme për marrjen e vendimeve.

Në vazhdimin e mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), dy anëtarët e këtij trupi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi kanë abstenuar në votim, duke pamundësuar certifikimin e kandidatëve të partisë serbe.

Abstenimi i tyre ka ndikuar që kjo çështje tash të kalojë edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se në një afat prej 24 orësh subjekti politik, Lista Serbe mund të bëjë ankesë.

“Pala e pakënaqur në këtë rast subjekti politik të cilit nuk ju certifikuan kandidatët, ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve në PZAP dhe ky organ pastaj merr vendim për të cilin konsideron se është ligjor”, tha Daka.

Por, kjo çështje, përveç se mund të trajtohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, mund të jetë subjekt trajtimi edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kështu të paktën ka paralajmëruar Lëvizja Vetëvendosje.

Në rast se lënda i drejtohet Kushtetueses, efektet besohet se mund të jenë edhe më të mëdha në procesin aktual të zgjedhjeve në katër komunat veriore. Por, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se punët në komision do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore.

“Janë disa persona të autorizuar të cilët mund të dërgojnë kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, por gjithsesi KQZ-ja, vazhdon më procedurat e parapara sipas ligjit, ndërkaq pala që konsideron se i është shkelur një e drejtë vazhdon në Gjykatën Kushtetuese, pra nuk e presim vendimin e Gjykatës Kushtetues”.

Pavarësisht këtyre pengesave, Daka tha se procesi zgjedhor do të vazhdojë.

Nga ana tjetër, profesor Mazllum Baraliu, ekspert i çështjeve juridike kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse një subjekt politik ka bërë lëshime ose mangësi gjatë procesit të aplikimit, brenda një afati të paraparë ligjor duhet të përmbushen kushtet. Por, nënvizoi ai, nëse një subjekt politik nuk certifikohet, ai nuk do të duhej të ishte pjesë e një procesi zgjedhor.

“Nuk mund të mbahet proces zgjedhor pa u certifikuar subjektet e caktuara politike dhe nuk e di se çfarë formule është dhe në çfarë baze juridike bazohet kur një subjekt politik paska mundësi të marrë pjesë në zgjedhje pa u certifikuar dhe pa u regjistruar si subjekt i tillë politik dhe pa kaluar si vendim i KQZ-së që është organizues i zgjedhjeve dhe menaxhues i tyre”, tha Baraliu.

Në një situatë si kjo, Baraliu i cili ka qenë ish-kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se KQZ duhet të marr një vendim të ri që t’i jap hapësirë veprimi edhe PZAP-it dhe eventualisht edhe parashtresë në Gjykatën Kushtetuese që ta shtyjë afatin e certifikimt.

“Nëse ka nevojë edhe në bashkëpunim edhe me presidentin e vendit të shtyhet edhe data e zgjedhjeve, por që në ato zgjedhje të marrin pjesë të gjitha subjektet që pretendojnë dhe kanë vullnet politik për të marrë pjesë në ketë proces elektoral e jo kështu lehtë e shpejt të kalohet në këto çështje sepse janë kruciale”, tha Baraliu.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe. Në dorëheqjet e tyre, kryetarët e këtyre komunave, i ishin referuar Kosovës me termin “Kosovë e Metohi”.

Pikërisht, përdorimi i këtij termi ka shtyrë anëtarët e Vetëvendosjes, që të kërkojnë nga Lista Serbe të zëvendësojë tre (ish-kryetarët e komunave që kanë dhënë dorëheqje) nga katër kandidatët për kryetar komunash, në të kundërtën, siç tha anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, këtë çështje do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë kam pritur që për këto 24 orë, Lista Serbe do të zëvendësojë tre nga katër kandidatët të cilët kishin dhënë dorëheqje para pesë muajsh, e që deklaratat e tyre të dorëheqjes, aktet e dorëheqjes në përmbajtje e konsideronin Kosovën pjesë të Serbisë dhe i referoheshin Kosovës si ‘Kosovë dhe Metohi”’.

“Unë po ashtu kam pritur nga Lista Serbe që të distancohet publikisht nga përmbajtja e këtyre deklaratave. Nëse e ka të pamundur që t’i zëvendësojë (v.j. kandidatët), të paktën le të japë dëshmi që distancohet nga përmbajtja e dorëheqjeve”, tha Rrustemi.

Deri më tash nuk ka pasur ndonjë reagim nga subjekti politik, Lista Serbe. Anëtari KQZ-s i emëruar pas nominimit nga Grupi Parlamentar i Listës Serbe, Stevan Veselinoviq ka thënë se “ketë [veprim] nuk mund ta konsiderojë ndryshe veç si një sulm brutal në komunitetin serb, në Listën Serbe cila e përfaqëson këtë komunitet”, tha

Kurse, shefi i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, duke përdorur fjalor të ashpër për Lëvizjen Vetëvendosje e ka fajësuar këtë subjekt politik në Kosovës për segregacion ndaj serbeve.

“Serbët janë formalisht të zhveshur nga statusi i qenieve të lira në Kosovën e vetëshpallur”, ka thënë Gjuriq .

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore, të cilat do të mbahen më 19 maj. Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu do të garojnë me kandidatët e tyre.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të funksionojë pa anëtarët e partive politike që janë pjesë e Koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

Komento: