Duket se takimi i Parisit mund të dështojë.
Kjo pasi që Kosova e Serbia nuk kanë bërë asnjë hap që do t’i hapte rrugë vazhdimit të dialogut.
Taksa vazhdon të mbetet në fuqi, derisa Serbia e prezanton atë si kusht.
Thuhet se një takim i tillë mund të shtyhet për në muajin nëntor, e ndërkohë mund të zhvillohet e ashtuquajtura “shuttle diplomacy”.
Samiti që u mbajt javë më parë në Berlin, nuk solli rezultate konkrete, përvec dakordimit që delegacionet nga Kosova e Serbia, me ftesën e Merkel dhe Macron të shihen përsëri në Paris më 1 korrik.
Por, ajo që u tha pas përfundimit të takimit në kryeqytetin gjerman se dy palët janë pro vazhdimit të dialogut duke se nuk është krejtësisht e vërtetë. Jo në bazë të atmosferës aktuale.
Liderët e vendit thonë se nuk do ta heqin taksën, e shteti serb kushtëzon dialogun pikërisht me heqjen e kësaj tarife ndaj mallrave serbe.
Gazeta Express nga burime mirë të informuara merr vesh se Samiti i Parisit mund të shkojë drejt dështimit, duke marrë parasysh se nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, pas takimeve që u mbajtën në Berlin.
Një formë ndërmjetësimi për t’i ndërruar mendjen kryeministrit Ramush Haradinaj sa i përket taksës ishte edhe takimi i sotëm që u mbajt në Berlin. Megjithatë, pavarësisht takimit një orësh që pati me kancelaren, i pari i Qeverisë shtoi se vendimi për masën nuk u lëkund.
Burime brenda takimit thanë se Merkel ka përsëritur kërkesën e saj sa i përket taksës, megjithatë ajo ka kritikuar edhe qëndrimin e shtetit serb karshi Kosovës.
Lidhur me këtë çështje Gazeta Express ka kontaktuar zyrën e kancelares gjermane. Këta të fundit janë shprehur se në këtë kohë nuk komentojnë takimin që është planifikuar të mbahet në Paris.
“Në këtë periudhë në nuk mund të ju japim më shumë detaje sa i përket takimit që është planifikuar të mbahet në Paris”, thonë nga zyra e Merkel.
Një takim i tillë do të mund të shtyhet potencialisht për në muajin nëntor, derisa në mes të vendeve të punojnë grupe të ndryshme që mund t’i bindin palët për ta vazhduar dialogun.
Zyrtarë të qeverive në Paris e Berlin gjatë javës që shkoi kanë qëndruar në Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për ta përgatitur takimin e Parisit.
Por, edhe nëse takimi i Parisit nuk mbahet, liderët do të takohen në një vend tjetër.
Tashmë është publike që më 5 korrik në Poznan të Polonisë, do të mbahet një takim BE –Ballkani Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit e ku pritet të jenë edhe liderët e Kosovës, Serbisë si dhe kancelarja gjermane e presidenti francez.
Takimi i Parisit u pa si mundësi për rifillimin e dialogut në mes të Kosovës e Serbisë, kjo pasi që paraprakisht në Berlin iu dha fund idesë për korrigjim të kufijve që u soll në jetë nga presidenti Hashim Thaçi e ai serb Aleksandër Vuciq.
“Takimi i Parisit është ndoshta takimi më serioz, sepse është dypalësh tani. Është një takim për të cilin duhet të përgatitemi, si ne edhe Serbia, sesi ta ndihmojmë veten e jo më miqtë. Kuptohet që duhet të koordinohemi me Amerikën, sepse ajo është jo vetëm lehtësuese në këtë marrëveshje, por është edhe garantuese në marrëveshjeje”, pati deklaruar kryeministri.
Mundësinë për dështim të samitit të Parisit e përmendi edhe presidenti serb. Aleksandër Vuciq u deklarua ditë më parë se ka gjasa që Franca të mos i mbledhë liderët. I njëjti ka shtuar se po vazhdojnë konsultat me amerikanët.
Kryeministri i vendit edhe sot deklaroi para mediave se nuk lëkunden sa i përket vendimit për heqje të taksës prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria për të gjitha produktet serbe e boshnjake.