A po e bllokon taksa liberalizimin e vizave, tregon Kryeministri Haradinaj

16:14 | 18 June 2019

Liberalizimi i vizave vazhdon të mbetët ҫështje e pazgjidhur për Kosovën.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Ai aty ka folur edhe për konkluzionet e Këshillit të Ministrave për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas tij, konkluzionet e Këshillit nuk përfshijnë një vendim të prerë për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Mendoj që është mirë me e ba një dallim për natyrën e të dalurave nga Këshilli ose konkluzionet. Asnjë nga këto konkluzione nuk është vendim. Thuhet që është marrë vendim, mirëpo nuk është e vërtetë. Gjendja në këtë është korrekte, pra siç e kemi prit. Ne ende nuk kemi hyrë në Agjendë të Këshillit të Ministrave”, ka thënë ai.

Sipas Haradinajt, Kosova është fituese vetëm me faktin që konkluzionet për liberalizimin e vizave janë hartuar nga Këshilli i Ministrave.

Haradinaj në këtë konferencë ka folur edhe për taksën si dhe faktin nëse ajo lidhet për procesin e liberalizimit të vizave.

“Taksa është një problem në marrëdhëniet me të gjithë, mirëpo ne nuk e kemi procesin e dialogut dhe anëtarësimit në BE të lidhur me taksën. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, dhe tek liberalizimi i vizave nuk përmendet taksa”, ka thënë Haradinaj.

Sipas kryeministrit, taksa ka krijuar një atmosferë të caktuar, mirëpo se ajo nuk është e lidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas tij gjermanët nuk e kanë kushtëzuar këtë me heqjen e taksës.

Në fund, Haradinaj ka folur edhe për procesin e dialogut, për të cilin ka thënë se kanë dështuar tendencat që në tavolinën e dialogut të përfshihet sovraniteti i Kosovës.

“Lajmi për vendimin negativ të Këshillit të Ministrave është i pabazuar. Sa i përket taksës mendoj që e kam shpjeguar disa herë se si jemi. Unë s’jam këtu për të çuar sovranitetin e Kosovës në tavolinën e dialogut, sepse është një tavolinë Ad-hoc, sepse ka devijuar dialogu i udhëhequr nga Mogherini”, ka thënë Haradinaj në fund të kësaj konference.

Ndërsa sot më herët gjatë ditës, Haradinaj përmes një konference ka publikuar pikën e 54-të konkluzioneve të BE-së për liberalizimin e vizave.

Komento: