Duket se PDK-ja po tentoi ta rrëzojë Haradinajn.
Lutfi Haziri në fillim të vitit kishte deklaruar se PDK i ka ofruar që bashkë ta rrezojnë Ramush Haradinajn.
Çka do të mbeste nga pushteti, do ta ndanin së bashku.
Mësohet se PDK dhe ‘kujdestari i PDK’së’, Presidenti Hashim Thaçi, kanë provuar ta bindin sërish Isa Mustafën, duke i çuar fjalë përmes Hazirit, që ta rrëzojnë kryeministrin dhe të bëjnë një marrëveshje bashkë.
Ndërkaq vetë Haziri mohon se ka kontaktuar me dikë të PDK’së, duke i këputur shpresat partisë së Kadri Veselit për bashkëpunim.
Përjashto fushatën zgjedhore dhe krijimin e Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj ka pasur vetëm një vit pa probleme në qeverisje me PDK’në.
Pjesa tjetër ka qenë plotë përplasje publike. Madje është raportuar, e këtë e ka pranuar edhe vetë Kryeministri, që për një kohë nuk është takuar fare me kreun e PDK’së, Kadri Veselin.
Nga ana tjetër, PDK duke se ka pasur disa tentativa për t’ia punuar pas shpinës kryeministrit.
Gazeta Express mëson nga burime të mirinformuara se PDK dhe presidenti Hashim Thaçi, përmes nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Hazirit, i kanë kërkuar kreut të LDK’së, Isa Mustafës që bashkë ta rrëzojnë kryeministrin Ramush Haradinaj.
Produkt i këtij bashkëpunimi, sipas kërkesës së PDK’së, do të ishte një marrëveshje që pas mbajtjeve të zgjedhjeve, të formonin koalicion dhe LDK’së t’ia jepnin postin e Kryeministrit.
Ndërkaq, sipas burimeve, më vonë Presidenti Thaçi është takuar në një nga lokalet e Prishtinës me avokatin Besnik Berisha, që është i afërt me Mustafën.
Berisha i ka treguar Thaçit se kreu i LDK’së nuk po e pranonte ofertën e tij dhe të PDK’së për një bashkëpunim të ri.
Hazirin ka thënë se nuk kanë asnjë kontakt me PDK’në dhe s’do të bashkëpunojnë me partinë që i ka tradhtuar dhe ua ka prishur Qeverinë mandatin e kaluar.
“Nuk kemi bashkëpunim me ata që kanë rrënuar ura. Ata mund të na shohin vetëm në televizor. Po bashkëpunojmë vetëm me opozitën”, ka thënë Hazir, duke mohuar se ai dhe partia e tij ka pasur ndonjë kontakt me PDK’në.
Për diçka të tillë është raportuar edhe më parë.
Vetë Haziri në janar të këtij viti ka thënë në emisionin Pressing se PDK i ka kërkuar LDK’së rrëzimin e Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Këtë e kishin mohuar zyrtarë të lartë të PDK’së, përfshirë shefin e Grupit Parlementar, Memli Krasniqi, i cili kishte thënë se rrëzimi i Qeverisë kurrë nuk është diskutuar.
“Është e pavërtetë e madhe. Klasike. S’ka se si i thuhet ndryshe”, është shprehur Krasniqi.
Sipas tij, “asnjë njeri i PDK’së me asnjë njeri të LDK’së s’ka folur për ndryshim të qeverisjes”.